Pranon fajësinë, dënohet me gjobë i akuzuari për rrahjen me të dëmtuarin pas mosmarrëveshjeve për të luajtur “Play Station”

IMG_8200
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Gusht 8, 2019

Ferizaj – Gjykata Themelore në Ferizaj, e ka dënuar me gjobë të akuzuarin për lëndim të rëndë trupor, Shpejtim Xhemajli.

Fillimisht, ai është dënuar me pesë muaj burgim, mirëpo me pëlqimin e tij, ky dënim është zëvendësuar me gjobë në shumë prej 2500 euro, të cilën është obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditësh, nga dita kur ky aktgjykim të merr formën e prerë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi i rastit, Elmaz Zenuni, të akuzuarit Xhemajli do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, dhe atë, nga 11 qershori i këtij viti,deri në ditën kur është shpallur aktgjykimi.

Po ashtu, ai është obliguar që të paguajë paushallin gjyqësor në bazë të tarifës së gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, i dëmtuari Shpejtim Mehmeti është udhëzuar në kontest civil, për kërkesën pasurore juridike.

Ndryshe, aktgjykimi ndaj të akuzuarit Xhemajli është shpallur pas leximit të aktakuzës në këtë seancë fillestare, nga prokurori i rastit ValdetAvdiu,  me ç’rast, i akuzuari e ka pranuar fajësinë.

“E pranoj fajësinë lidhur me këtë vepër penale dhe i kërkoj falje Shpejtimit, edhe pse ai nuk është i pranishëm këtu, dhe jam i penduar për këtë vepër.  I premtoj gjykatës që në të ardhmen nuk do të kryej vepër penale tjetër. Me të dëmtuarin dhe familjen e tij jemi pajtuar, dhe që nga ai moment nuk ka ndodhur ndonjë gjë mes nesh”, tha i akuzuari Xhemajli.

Kurse, prokurori Avdiu ka bërë ricilësimin e kualifikimit juridik të kësajvepre, nga neni 186 paragrafi 2 nënparagrafi 2.5, në nenin 186 paragrafi 1, nënparagrafi 1.3.

“Eksperti i mjekësisë ligjore, Flamur Blakaj, në mendimin e tij të dhënë nuk ka konstatuar nëse dëmtimet e të dëmtuarit Mehmeti janë me pasoja të përkohshme apo të përhershme. Bazuar në Kodin Penal, i cili përcakton se kur ka dilema lidhur me ndonjë fakt, ai duhet të interpretohet në favorin e të pandehurit – in dupio proreo, andaj bazuar në këtë, prokuroria bënë ricilësimin e kualifikimit juridik, dhe unë si prokuror mbetem pranë aktakuzës së ndryshuar dhe ricilësimit të veprës penale sipas gjendjes faktike”, deklaroi Avdiu.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 korrik 2019, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Shpejtim Xhemajli, akuzohet se më 10 qershor 2019, rreth orës 22:45 në Shtime, konkretisht në “Play Station” “Te Lika”, i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit, Shpejtim Mehmeti.

Siç thuhet në aktakuzë, ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë që deri sa ishin duke pritur për të luajtur në “Play Station”, dhe pas një fjalosjeje lidhur me rendin për të luajtur, i pandehuri e kishte goditur në gjoks, dhe pastaj kishin dalë jashtë ku përsëri e kishte goditur në kokë, me ç’rast i dëmtuari Mehmeti kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “lëndim i rëndë trupor”, nga neni 186, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi