Pranon fajësinë, dënohet me gjobë i akuzuari për posedim të paautorizuar të armëve

unnamed
Author

Raporton: Egzon HALILI

Nëntor 15, 2019

 



Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 800 euro gjobë të akuzuarin për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, Erjon Zogaj.

Gjithashtu, ai është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 30 euro si dhe shumën 30 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit Zogaj i janë konfiskuar pistoletat, dhjetëra fishekë, një thikë si dhe një boks hekuri.

Sipas gjykatësit Alban Ajvazi, pala e pakënaqur kundër këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditë nga dita e marrjes së kopjes së aktgjykimit.

Ndryshe, i akuzuari Zogaj ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 14 nëntor 2019.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 19 prill 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Erjon Zogaj për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par. 1të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 17 nëntor 2016, në Fushë Kosovë në rrugën “Nëna Terezë” pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë ka mbajtur në pronësi dhe ka poseduar armët: një pistoletë me mulli e tipit “Magnum” 35 “Zastava”, me gjashtë fishekë, një pistoletë “Ekol Jackal Dual Compact” cal. 9mm, me 24 fishekë 9mm, pesëdhjetë copa fishekë cal 7.62mm, një thikë “Elite Force stainless” dhe një boks hekuri, të cilat pas identifikimit nga policia janë konfiskuar. /BetimipërDrejtësi