Pranon fajësinë, dënohet me gjobë i akuzuari për lëndim të lehtë trupor

GJTHP 13 nentor (1)
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Nëntor 19, 2019

 


Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, të martën, e ka dënuar me njëmijë euro gjobë, të akuzuarin për lëndim të lehtë trupor, Gëzim Musa.

Aktgjykimi është shpallur nga gjyqtari Ahmet Rexhaj, pasi që paraprakisht i pandehuri e ka pranuar fajësinë për veprën penale që e ngarkon akuza.

Sipas aktgjykimit të shpallur, në dënim me gjobë, do t’i llogaritet edhe periudha e qëndrimin në arrest shtëpiak, nga 21 tetori 2019, deri më 19 nëntor.

Po ashtu, ai është ngarkuar edhe me pagesën e paushallit gjyqësor në shumë prej 20 eurove, dhe taksën për kompensim të viktimave të krimit në shumë prej 30 eurove.

Në seancën fillestare, pas leximit të aktakuzës, i pandehuri pasi ka pranuar fajësinë, ka shprehur keqardhje për veprën e kryer.

“Është e vërtetë. Jom taku këtu me të dëmtuarin, me të cilin nuk i kam raportet e mira, dhe si pasojë e dehjes, pa fol fare me të, është e vërtetë që e kom goditë me grusht. Por, me sinqeritetin më të madh deklaroj që jam penduar, pasi që jemi edhe kojshi, e po më vjen keq prej gruas, fëmijëve dhe nënës së të dëmtuarit”, ka thënë ai.

Pranimin e fajësisë e ka mbështetur edhe prokurorja Ardiana Veseli, e më pas e ka aprovuar edhe gjyqtari Rexhaj.

Sipas akuzës së ngritur me 8 nëntor 2019, Prokuroria Themelore në Pejë, Gëzim Musa akuzohet se më 20 tetor 2019, në Pejë, me dashje i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore, të dëmtuarit Kujtim Haxhijakupi.

Në aktakuzë thuhet se i dëmtuar përderisa ishte duke ecur në rrugë, në mënyrë tinëzare vije i pandehuri, dhe e godet me grushte, për ç’ rast i njëjti bie në tokë, kurse i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes. /BetimipërDrejtësi