Pranon fajësinë, dënohet me gjobë i akuzuari për lëndim të lehtë trupor

Altin Berisha (1)
Author

Raporton: Avni BERISHA

Janar 27, 2021

Rahovec – Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar dënim 400 euro gjobë për të akuzuarin për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, Altin Berisha.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Ilir Rashkaj, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, i akuzuari Berisha, ka thënë se ndjehet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur.

Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Kastriot Memaj, i cili tha se deklarimi është bërë në mënyrë të lirë dhe të vullnetshme dhe se një pranim i tillë ka edhe mbështetjen në provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Gjyqtari Rashkaj, të akuzuarin e ka obliguar t’i paguaj shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro si dhe 30 euro në emër të viktimave të krimit.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Gjakovë të ngritur me 04 dhjetor 2018, Altin Berisha, akuzohet se me 21 korrik 2018, rreth orës 18:00 min, në fshatin Xërxe të Rahovecit i shkakton lëndime të lehta trupore me dëmtim të përkohshëm të dëmtuarit Faruk Gashi.

Sipas aktakuzës ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje lidhur me çështjen e pronësisë i pandehuri në prezencë të policisë në një moment e  sulmon të dëmtuarin Gashi, me grusht në pjesë të kokës dhe veshin e majtë, ku si pasoj e goditjeve merr lëndime të lehta trupore të vërtetuar me ekspertizën mjekoligjore të Dr. Naim Halitit e 01 tetor 2018./BetimipërDrejtësi