Pranon fajësinë, dënohet me gjobë i akuzuari për lëndim të lehtë trupor

Valmir Kastrati (1)
Author

Raporton: Avni BERISHA

Tetor 15, 2020

Rahovec – Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar dënim 300 euro gjobë për të akuzuarin për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, Valmir Kastrati.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Ilir Rashkaj, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, i akuzuari Kastrati, ka thënë se ndjehet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur.

Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se i mbrojturi i tij është i gjendjes së dobët ekonomike, mbajtës i familjes, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurorja Mone Syla, e cila tha se deklarimi është bërë në mënyrë të lirë dhe të vullnetshme dhe se një pranim i tillë ka edhe mbështetjen në provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Gjyqtari Rashkaj, të akuzuarin e ka obliguar t’i paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 60 euro në total.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Gjakovë të ngritur me 07 qershor 2015, Valmir Kastrati, akuzohet se më 26 nëntor 2015 rreth orës 16:30 min në fshatin Ratkoc të Rahovecit i shkakton lëndime të lehta trupore me dëmtim të përkohshëm të përkohshëm të dëmtuarit D. H.

Sipas aktakuzës ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë pas një mosmarrëveshje verbale dhe sulmi fizik mes të miturve D.H dhe F. K., pasi që i kishte vërejtur i akuzuari kishte nderhyrë dhe me një shkop druri e sulmon të dëmtuarin e mitur D. H.

Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari është dërguar për trajtim mjekësor në QKMF në Rahovec, ndërsa nga konstatimi i ekspertizës mjekoligjore të Dr. Naim Uka e 18 janarit 2016 vërtetohet se i njëjti kishte marrë lëndime të lehta trupore. /BetimipërDrejtësi