Pranon fajësinë, dënohet me gjobë i akuzuari për armëmbajtje pa leje

foto nga seanca, 6 nentor, armembajtje pa leje
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Nëntor 6, 2019

 

Podujevë – 500 euro gjobë është aktgjykimi që Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, ka shpallur ndaj të akuzuarit për armëmbajtje pa leje, Fadil Shala.

Dënimin me gjobë, sipas gjykatësit të çështjes Minir Hoti, i akuzuari obligohet ta paguajë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nëse gjoba nuk paguhet në afatin e paraparë, sipas Hotit, do të shndërrohet në dënim me burg, duke u llogaritur 20 euro për një ditë burgim.

Ai është obliguar të paguajë edhe shpenzimet e procedurës, e që për paushallin gjyqësor shumën prej 20 eurosh dhe për kompensimin e viktimave shumën prej 30 eurosh.

Me dënim plotësues, është konfiskuar arma, të cilën i akuzuari e kishte mbajtur në kundërshtim me ligjin duke mos u pajisur me lejen përkatëse.

Ky aktgjykim është shpallur pasi në seancën e së mërkurës, i akuzuari Shala e ka pranuar fajësinë.

“E pranoj fajin dhe e kam dorëzu vet armën tek zyrtarët e policisë, posa kanë ardh me kërku. Është hera e parë që jam në gjykatë dhe më vjen keq për këtë rast, jam prind dhe familjar, lus gjykatën për një dënim sa më të lehtë, duke premtuar se raste të tilla nuk kanë me u përsëritë”, ka deklaruar i akuzuari.

Prokurori Ilir Morina, ka thënë se pranimi i fajësisë nga i akuzuari është në përputhje me kushtet ligjore, e që më pas është aprovuar nga gjykatësi Hoti.

Sipas aktakuzës së 11 shtatorit 2019, për të akuzuarin Fadil Shala thuhet se me 29 gusht 2019, rreth orës 20:00, në shtëpinë e tij në Podujevë, i është kërkuar arma nga ana e policisë, të cilën ai e ka dorëzuar.

Siç pretendohet nga kjo aktakuzë, armën e tipit “TT”, të kalibrit 7.52 mm dhe 15 fishekë, ai po e mbante në  kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët e tilla.

Me këtë, ai akuzohej për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi