Pranon fajësinë, dënohet me gjobë i akuzuari për armëmbajtje pa leje

Malisheve
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Shkurt 8, 2019

Malishevë – I akuzuari për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve, Arbër Mazreku, është dënuar me gjobë në shumën prej 800 eurosh, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Të akuzuarit Mazreku, i është shqiptuar po ashtu dënimi plotësues, konfiskim i armës.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të premten, pasi që i akuzuari në seancën e shqyrtimit fillestar e ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi, Lulzim Paqarizi, dënimet do të ekzekutohen, pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.

I akuzuari është obliguar që të paguaj paushallin gjyqësor prej 40 euro.

Kurse, në seancën e shqyrtimit fillestar i akuzuari Mazreku, ka kërkuar nga gjykata që gjatë shqiptimit të dënimit të merren parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese, pasi që armën e kishte gjetur në fushë, dhe e njëjta nuk ka qenë e përdorshme.

Sipas tij ai ishte shumë i ri në moshë kur ka ndodhur dhe nuk i ka ditur pasojat, se për ndryshe nuk do ta merrte armën e braktisur

Ndërsa, prokurori i rastit, Bajram Kryeziu, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Ndryshe, Arbër Mazreku, akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjakovës se më 18 maj 2016 në afërsi të stacionit të autobusëve në Malishevë, i është gjetur arma e llojit “Bruni Mod”, e kalibrit 8mm, e prodhimit italian, së bashku me tre copë fishek, të cilat janë konfiskuar nga pjesëtarët e policisë.

Me këtë, i akuzuari Mazreku, ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragraf i, të KPRK-së.