Pranon fajësinë, dënohet me dy vjet burg dhe me gjobë i akuzuari për narkotikë dhe armëmbajtje pa leje

Rasti Mexhid Krasniqi- 08.02.2019
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Shkurt 8, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, të akuzuarin Mexhid Krasniqi, e ka dënuar me dy vjet burgim efektiv dhe 1000 euro gjobë, për dy veprat penale, posedim të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.

Të akuzuarit Krasniqi, gjykatësi Vesel Ismajli, për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge”, i ka shqiptuar dënim me burg prej dy vjetësh, në të cilin dënim do t’i llogaritet arresti shtëpiak, si dhe me gjobë në shumë prej 500 euro.

Ai shtoi se, në rast së i akuzuari nuk e paguan dënimin me gjobë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, atëherë i shndërrohet në dënim me burg, 20 euro për një ditë burgim.

Ndërsa, për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të akuzuarit, gjykatësi Ismajli i shqiptoi dënim me gjobë në shumën prej 500 eurosh, të cilin, i akuzuari është i obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Hivzi Bajraktari dhe pas konsultimit të të akuzuarit Krasniqi me mbrojtësin e tij, avokatin Muhamet Humolli, i akuzuari më vullnetin e tij e pranoi fajësinë për të dyja veprat penale që i viheshin barrë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Bajraktari, i cili ka thënë se pranimi i fajësisë është bërë konform nenit të Kodit të Procedurës Penale dhe është në përputhje me aktakuzën e cila është e bazuar në prova të cilat gjenden në shkresat e lëndës.

Gjithashtu, gjatë kësaj seance mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Humolli i propozoi gjykatës që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak. Lidhur me këtë, gjykatësi i rastit Vesel Ismajli e aprovoi propozimin e mbrojtjes dhe të akuzuarit i ndërpreu masën e arrestit shtëpiak.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 janar 2019, kishte ngritur aktakuzë kundër Mexhid Krasniqit, të cilin e ngarkonte me veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, Mexhid Krasniqi akuzohej se më 6 dhjetor 2018 në Obiliq, pas informatave të siguruara, policia gjatë kontrollimit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të akuzuarit, në garazhin e shtëpisë kishin gjetur një qese najloni, të mbushur me substanca narkotike, të llojit marihuanë, me peshë prej 965 gramë, e cila ishte konfiskuar nga ana e policisë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, të akuzuarit, gjatë këtij kontrolli, në shtëpi i kishin gjetur dhe sekuestruar edhe një revole me një karikator dhe 12 copë fishek, një elektroshok, një boks të metaltë, si dhe një fishek 9 mm.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.