Pranon fajësinë, dënohet me burgim me kusht dhe me gjobë i akuzuari për vjedhje pylli

Gjykata Podujeve, 50
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Korrik 11, 2019

Podujevë – Tre muaj burg me kusht dhe 200 euro gjobë, është aktgjykimi që Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ka shpallur ndaj të akuzuarit për vjedhje pylli, Arben Fazliu.

Por, dënimi me burg ndaj tij nuk do të ekzekutohet në afat prej një viti, nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, dënimin me gjobë, ai është obliguar ta paguajë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Gjithashtu, ai është ngarkuar edhe me shpenzimet e procedurës penale dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro të tjera në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Gjykatësi Minir Hoti, ka thënë se në rast se dënimi me gjobë nuk paguhet në afatin e paraparë me ligj, ai do të shndërrohet në burg, duke u llogaritur 20 euro për një ditë.

Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari në Komunën e Podujevës, si palë e dëmtuar, është udhëzuar në kontest civil.

Ky aktgjykim është shpallur, pasi në seancën e së enjtes, i akuzuari Fazliu, e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet.

“E pranoj fajin, mirëpo unë nuk kam shkuar me qëllim me pre drunjë në pronë shtetërore, meqenëse aty nuk dihen kufijtë, unë  kërkoj falje edhe njëherë që jam para Gjykatës, drutë i kam pasur për nevoja familjare, nga ky rast asnjëherë më nuk kam prerë drunjë. E lus Gjykatën të më shqiptoj një dënim sa më të lehtë sepse jam i papunë”, ka deklaruar ai.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Ali Ajdini dhe më pas e ka aprovuar edhe gjykatësi i çështjes Minir Hoti.

Ndryshe, sipas aktakuzës së 21 majit 2019, Arben Fazliu akuzohet se më 1 prill 2019, rreth orës 08:00, në vendim e quajtur “Kërrshat e Bellasicës”, Regjioni Ekonomiko-Pyjor i Murgullës, Komuna e Podujevës, në pyllin në pronësi publikë me qëllim të vjedhjes, kishte prerë me sharrë motorike 17 copë dru të llojit “ahu”.

Sipas aktakuzës, me këtë rast Komunës së Podujevës, Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë i është shkaktuar dëm në vlerë prej 796 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli” nga neni 358 par.2  të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi