Pranon fajësinë, dënohet me burgim me kusht dhe gjobë i akuzuari për vjedhje të rëndë

ddd
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Nëntor 8, 2018

Drenas – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, e ka dënuar me një vit burgim me kusht dhe 1.200 euro gjobë, të akuzuarin për vjedhje të rëndë, Valton Morina.

Por, dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Shefqet Baleci, pasi i akuzuari paraprakisht kishte pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Nebahate Salihu, i akuzuari deklaroi se pranon fajësinë në tërësi si në të gjitha pikat e aktakuzës.

I pranishëm në seancë ka qenë dhe avokati mbrojtës i të akuzuarit, Gazmend Halilaj.

Prokurorja Salihu, propozoi që pranimi i fajësisë të merret si rrethanë lehtësuese, pasi që sipas saj, është e mbështetur në provat materiale dhe është bërë në mënyrë vullnetare pa kurrfarë presioni, gjithashtu si rrethanë lehtësuese me rastin e matjes së dënimit, ajo tha të merret mosha që i akuzuari ka pasur në kohen e kryerës së veprës penale.

Ndërsa, avokati Gazmend Halilaj deklaroi se meqenëse pranimi i fajësisë është bërë pas konsultave të mjaftueshme me klientin e tij, ky akt ishte me vullnet të plotë dhe se i akuzuari siç tha avokati, ka shprehur pendim serioz dhe të thellë për veprimet e tij.

Halilaj tha se klienti i tij, me arritjen e moshës së  pjekurisë në vazhdimësi është munduar të punojë punë të rënda fizike për të qenë i dobishëm për familjen dhe shoqërinë.

“Ndaj lusim gjykatën të merren parasysh këto rrethana si dhe mosha e tij në kohen e kryerjes së veprës penale dhe t’i shqiptoj një dënim të kushtëzuar dhe atë në lartësi nën minimale qoftë të dënimit po ashtu edhe të kohës së verifikimit”, ka thënë Halilaj.

I akuzuari Morina, kërkoi falje gjykatës për veprimet e tij, duke premtuar se në të ardhmen nuk do të kryej veprime të tilla.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 16 janar 2016, ka ngritur aktakuzë kundër Valton Morina, duke e akuzuar se më 24 gusht 2013, rreth orës 16:25, në Drenas, më saktë te stacioni i trenit, i pandehuri me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, në bashkëkryerje me të miturit K.M dhe V.M me  përdorim të forcës me mjet të përshtatshëm –shufër metalike kanë thyer derën e depos së hekurudhës.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga aty kanë marrë vegla të punës në vlerë prej 4.155,40 euro, e pastaj me automjet janë larguar nga vendi i ngjarjes duke u fshehur në një pyll afër shtëpive të tyre.

Me këtë, akuzohej se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë” nga neni 327 paragrafi 1nënparagrafi 1.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.