Pranon fajësinë, dënohet me burg me kusht dhe gjobë i akuzuari për tregti të ndaluar

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Shkurt 12, 2020

Vushtrri – Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, e ka dënuar me një vit burg me kusht dhe 500 euro gjobë të akuzuarin për tregti të ndaluar, Nezir Deliqi.

Dënimin me burg i pandehuri nuk do ta mbajë nëse brenda dy vjetësh nuk kryen vepër tjetër penale, ndërsa gjobën është i obliguar ta paguajë brenda 15 ditësh nga plotfuqishmëria  e aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Krahas kësaj, gjykata i ka konfiskuar edhe pantallonat e llojit “Fioretto”, ndërsa Doganën e Republikës së Kosovës, si palë të dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore juridike e ka udhëzuar në kontest civil.

Këtë dënim e ka shqiptuar gjykatësi, Agron Maxhuni, në seancën  e së mërkurës, pasi paraprakisht i pandehuri Deliqi e ka pranuar fajësinë.

Lidhur me pranimin e fajësisë nga i pandehuri, prokurori Shpëtim Peci, ka deklaruar se i plotëson kushtet ligjore, ndërsa të njëjtën e ka aprovuar gjykatësi Maxhuni.

I pandehuri po ashtu është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor t`i paguajë 30 euro gjobë, si dhe në emër të kompensimit të viktimave 30 euro.

Palët janë njoftuar me të drejtën e tyre në ankesë brenda afatit ligjor.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 16 janar 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Nezir Deliqi

Sipas aktakuzës, i pandehuri Deliqi, më 6 dhjetor 2019, në Vushtrri, ishte ndaluar nga policia dhe me rastin e kontrollit në veturën e tij “Passat”, ishin gjendur 369 palë pantallona të llojit “Fioretto”, të cilat i kishte blerë pa autorizim në Mitrovicë, me qëllim që t`i shesë në Prishtinë, me vlerë të përgjithshëm të mallit prej  2,873.37 euro.

Me këtë, Deliqi akuzohet se ka kryer veprën penale “tregtia e ndaluar”, nga neni 299, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi