Pranon fajësinë, dënohet me burg i akuzuari për organizim të jashtëligjshëm të lojërave të fatit

Foto, Gjykata Podujeve, 7
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Nëntor 7, 2019

 

Podujevë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, pasi e ka pranuar fajin, është  dënuar me gjashtë muaj burg, i akuzuari për “organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, Endrit Haxhiu.

Dënimi me burg, sipas gjykatësit të çështjes Minir Hoti, mund të shndërrohet në dënim me gjobë në vlerë prej 1500 eurosh, me pëlqimin e të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, atij i janë ngarkuar edhe pagesa e shpenzimeve të procedurës dhe atë 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro të tjera në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Me dënim plotësues, gjykata ia ka konfiskuar atij pajisjet kompjuterike, ku përfshihen monitorë dhe shtëpiza të markave të ndryshme, të cilat kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale.

Aktgjykimi është shpallur, pasi që i akuzuari Haxhiu, është deklaruar fajtor, duke mos e mohuar se veprën penale e kishte kryer.

“E pranoj fajësinë, nuk e kam ditë që janë të paligjshme këto lojëra”, ka deklaruar ai.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Ilir Morina, e më pas e ka aprovuar edhe gjykatësi Hoti.

Sipas aktakuzës së 30 gushtit 2019, Endrit Haxhiu akuzohet se më 12 korrik 2019, rreth orës 17:30, në Podujevë, në fshatin Shakovicë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka organizuar veprimtarinë e lojërave të fatit “KENO”.

Me këtë ai akuzohej për veprën penale “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, nga neni 294 par.2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi