Pranon fajësinë, dënohet me 450 euro gjobë i akuzuari për armëmbajtje pa leje

Foto Gjykata Th.Peje
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Gusht 13, 2019

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, të martën, e ka dënuar me 450 euro gjobë, të akuzuarin për armëmbajtje a leje, Argjend Rexhaj.

Një aktgjykim i tillë është shpallur nga gjyqtari i çështjes, Murat Hulaj, pasi që i akuzuari në shqyrtimin fillestar e ka pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi’’.

Gjithashtu, të akuzuarit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, me të cilin do të bëhet konfiskimi i armës, me të cilën është kryer vepra penale.

Ai është ngarkuar edhe me pagesën e shpenzimeve procedurale në shumë prej 25 euro, paushallin gjyqësorë në shumë prej 15 euro, dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej 30 euro.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ardiana Veseli, i akuzuari e ka pranuar fajësinë, duke kërkuar falje për një vepër të tillë.

Pranimin e fajësisë nga i akuzuari nuk e ka kundërshtuar prokurorja Veseli, e më pas e ka aprovuar edhe gjyqtari i çështjes, Murat Hulaj.

Ndryshe, sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Pejës, Argjend Rexhaj, akuzohet për vepër penale të mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

Në aktakuzë thuhet që me 28 dhjetor 2017, në fshatin Novosellë, Komuna e Pejës, i pandehuri pa autorizim ka poseduar armë automatike, të kalibirit 7.62x39mm, dhe një karikator, e cila i ishte gjetur dhe sekuestruar nga policia, me rastin e bastisjes së shtëpisë së Emrush Muriqit, ku në ditën kritike, kishte një ahengu familjar.

Në këtë rast, ka qenë i akuzuar edhe Fadil Blakaj, por lënda ndaj tij ishte veçuar. /Betimipërdrejtësi