Pranon fajësinë, dënohet me 300 euro gjobë i akuzuari për vjedhje pylli në Istog

20200113_102101
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Janar 13, 2020

Istog – Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, e ka dënuar me 300 euro gjobë të akuzuarin për vjedhje të pyllit, Tahir Imeraj.

Gjykatësi Gani Rugova tha se të pandehurit i mundësohet që gjobën prej 300 euro ta paguajë në tri këste.

Njëkohësisht, i akuzuari është obliguar t’i paguajë edhe shpenzimet procedurale, në shumën totale prej 50 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Rugova, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohej.

Me rastin e pranimit të fajësisë, i akuzuari Imeraj është shprehur se ndihet i penduar për veprën që e ka kryer, duke shtuar se trungjet i kishte për nevojat e veta personale.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, nuk e ka kundërshtuar as prokurori Ersan Qavolli, i cili i propozoi gjykatës që të akuzuarit Imeraj pranimi i fajësisë t’i merret si rrethanë lehtësuese me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimin e tij.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 16 dhjetor 2019, e ngarkon të akuzuarin Tahir Imeraj, me veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 349 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se, i pandehuri më 15 shtator 2019, rreth orës 00:57, në vendin e quajtur “Gollosten”, rajoni ekonomiko-pyjor “Mokna”, me qëllim të vjedhjes, me sharrë motorike, ka prerë trungje të llojit të “Ahut”, me vëllim të përgjithshëm prej katër metra kub.

Sipas aktakuzës, i pandehuri trungjet e prera i ka ngarkuar në traktorin e tij, me ç’rast është ndaluar nga rojtari i pyllit. /BetimipërDrejtësi