Pranon fajësinë, dënohet me 200 euro gjobë i akuzuari për sulm

20200115_103643 1 (1)
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Janar 21, 2020

Istog – Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, të martën, e ka dënuar me 200 euro gjobë të akuzuarin për sulm, Sejdi Nicaj.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Arben Mustafaj, i akuzuari gjithashtu është obliguar në shpenzimet procedurale, dhe atë në shumën prej 50 euro në total, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën gjyqësore të së martës, para se të shpallej aktgjykimi, i akuzuari Nicaj e ka pranuar fajësinë.

“E pranoj fajësinë për veprën për të cilën akuzohem. Më vjen keq për rastin e ndodhur”, ka thënë ai

Ndërkaq, pas kësaj, palët kanë dhënë fjalën përfundimtare të tyre, ku prokurorja Lumturije Vuqetaj, i ka propozuar gjykatës që pranimi i fajësisë dhe rregullimi e raporteve ndërmjet të akuzuarit dhe të dëmtuarit, të merren si rrethana lehtësuese tek matja e dënimit.

I dëmtuari Agim Bicaj, në fjalën përfundimtare ka thënë, se ia lë gjykatës të vendos për rastin, ndërsa ai ka shtuar se më të pandehurin i kanë rregulluar raportet.

I pandehuri Nicaj në fjalën përfundimtare, ka thënë se pendohet për rastin e ndodhur, duke i kërkuar falje publike të dëmtuarit.

“Premtoj se në të ardhmen nuk do të kemi probleme më me të dëmtuarin. Me të dëmtuarin kemi punuar shumë vite bashkë, dhe tani i kemi raportet shumë të mira ndërmjet vete.”, ka thënë i pandehuri Nicaj.

Prokuroria Themelore në Pejë, më 6 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë kundrejt Sejdi Nicaj, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “sulm”, nga neni 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më 16 qershor 2019, rreth orës 09:00, në fshatin Muzhevinë të Komunës së Istogut, me dashje ka përdorur forcë ndaj të dëmtuarit Agim Bicaj.

Në aktakuzë thuhet se pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi, e ku i dëmtuari kishte shkuar për t’i kërkuar paratë për punën e kryer, me ç’rast i pandehuri sapo e ka parë të dëmtuarin, ka shkuar në drejtim të tij, duke e goditur me grushte dhe shuplaka. /BetimipërDrejtësi