Pranon fajësinë, dënohet me 150 euro gjobë i akuzuari për vjedhje të shërbimeve

Gjykata
Author

Raporton: Egzon HALILI

Shtator 18, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 150 euro gjobë të akuzuarin për vjedhje të shërbimeve, Xhevdet Klinaku.

Ky dënim i shqiptuar nga gjykatësja Sulltane Hoti, është dhënë pasi i akuzuari ka pranuar fajësinë në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur këtë të mërkurë .

Gjykatësja Hoti, e ka njoftuar të akuzuarin se pagesa e dënimit duhet të bëhet në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Osmani është obliguar që të paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumën prej 30 euro.

Gjykatësja Hoti, bëri të ditur se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Pasi është konstatuar e lexuar aktakuza, prokurorja Rukije Shashivari ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga neni 321 të KPRK-së, në neni 314 par 6 lidhur me par. 1 të Kodit të ri Penal, pasi që ky nenë është më i favorshëm për palën.

Ndërkaq, i akuzuari Klinaku, deklaroi se është fajtor i kësaj vepre penale dhe ka shprehur keqardhje për këtë që ka ndodhur.

Ky pranim fajësisë nuk është kundërshtuar nga prokurorja Shashivari, me arsyetimin se është bërë sipas dispozitave ligjore, po ashtu është mbështetur dhe nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit Klinaku, avokati Sylejman Klinaku.

Lidhur me deklarimin e prokurores Shashivari për këtë pranim fajësie, e ka mbështetur përfaqësuesja e palës së dëmtuar KEDS, Malsore Berisha dhe se e njëjta shtoi se kanë hequr dorë nga kërkesa pasurore juridike për kompensim të dëmit.

Ndryshe, në këtë seancë është dhënë edhe fjala përfundimtare, ku prokurorja Shashivari, deklaroi se mbetet në tërësi pranë aktakuzës, duke i propozuar gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Këtë deklarim të prokurores Shashivari, të dhënë në fjalën përfundimtare, e ka mbështetur edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, KEDS, Malsore Berisha.

Ndërkaq, mbrojtësi i Klinakut, avokati Sylejman Klinaku kërkoi nga gjykata gjatë marrjes së dënimit t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese, pasi i mbrojturi i tij e kishte pranuar fajësinë.

Kurse, i akuzuari Xhevdet Klinaku në fjalën përfundimtare deklaroi se e mbështet në tersi fjalën e paraqitur nga avokati i tij.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 23 janar 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhevdet Klinakut, të cilin e ngarkonte me veprën penale “lidhja e paautorizuar në shërbime”, nga neni 321 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 22 nëntor 2013, pas inspektimit që është bërë në shtëpinë e të akuzuarit në fshatin Lum i Madh, nga ana e personave të autorizuar të KEDS-it, është konstatuar se ai pa leje apo autorizim, është ri-kyçur ilegalisht dhe ka shfrytëzuar energjinë elektrike edhe pse më parë për shkak të borxhit ka qenë i ç’ kyçur nga rrjeti elektrik, me ç’ rast KEDS-it, i ka shkaktuar dëm material. /BetimipërDrejtësi