Pranon fajësinë, dënohet me 12 muaj burgim i akuzuari për lëndim të rëndë trupor

43701003_181219546047714_6579057421140885504_n
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Tetor 10, 2018

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, të mërkurën, e ka dënuar me 12 muaj burgim, të akuzuarin për lëndim të rëndë trupor, Burim Foniqi.

Gjykatësi i rastit, Gëzim Pozhegu, ka thënë se i njëjti është i obliguar që t’i paguaj edhe shpenzimet procedurale, në shumën prej 50 eurosh, si dhe për fondin e viktimave 50 euro.

Para se të shpallej aktgjykimi, në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, i akuzuari Foniqi, është deklaruar se e pranon fajësinë.

Derisa, i dëmtuari, Shaip Buzhala, është deklaruar se nuk kërkon ndjekje penale e as kompensim të dëmit material, duke shtuar se ia ka falur të akuzuarit.

Prokurori i rastit, Agron Matjani, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë, duke shtuar se që Gjykata pas aprovimit të pranimit të fajësisë, gjatë caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit t’i ketë parasysh të gjitha rrethanat.

Mbrojtësi i të akuzuari, Agim Sahatcia, është deklaruar se ka biseduar paraprakisht me të akuzuarin dhe e ka njoftuar me të drejtat e tij dhe pasojat e pranimit të fajësisë, duke shtuar se pranimin e fajësisë e ka bërë pa presion. Ai ka shtuar se Gjykata gjatë caktimit të dënimit t’i ketë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese.

I akuzuari është deklaruar se ka qenë i dënuar më parë për vepër penale të natyrës së njëjtë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i akuzuari Foniqi, më 21 shkurt 2018, rreth orës 8:40, në fshatin Llozhicë, Komuna e Malishevës, i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor, të dëmtuarit, Shaip Buzhala.

Siç thuhet në aktakuzë, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë, që gjersa i dëmtuari ishte duke punuar, përkatësisht rrafshuar bazamentin e një prone skaj rrugës kryesore, përgjatë aksit rrugor Prishtinë-Pejë, i akuzuari Foniqi me të parë të dëmtuarin tek vendi për të cilin një ditë më parë kishte biseduar, menjëherë siç ka qenë duke e vozitur veturën e tij, ndalet vrullshëm mbi rërën që ishte duke e shpërndarë me lopatë në tokë i dëmtuari, dhe i thotë “Qysh u morëm vesh”, dhe menjëherë ia merr lopatën nga dora dhe me të e godet disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, gjendje kjo e konstatuar nga ekspertiza e ekspertit mjekoligjor, Dr. Naim Uka, të 24 prillit 2018.

Me çka, akuzohej se ka kryer veprën penale “lëndim të rëndë trupor” nga neni 189 parag.5 lidhur me parag.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.