Pranon fajësinë, burgim me kusht ndaj të akuzuarit për armëmbajtje pa leje

Foto nga seanca, 9 tetor
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Tetor 9, 2019

Podujevë – Pasi e ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, i akuzuari Rafet Shabani, është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të mërkurën nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, dënimi me burgim, nuk do të ekzekutohet në afat verifikimit prej një viti, nëse ai nuk e përsëritë veprën penale.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari është liruar nga shpenzimet e procedurës për shkak të gjendjes sociale-ekonomike.

Me dënim plotësues në këtë aktgjykim, është konfiskuar arma, e cila është objekt i veprës penale.

Para se të shpallej aktgjykimi, i akuzuari është deklaruar fajtor për veprën penale me të cilën ngarkohej.

Këtë pranim fajësie nuk e ka kundërshtuar prokurorja Rukije Sheshivari dhe më pas e ka aprovuar gjykatësi i çështjes Minir Hoti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 26 korrik 2019, Rafet Shabani akuzohej se në fshatin Peran, konkretisht në shtëpinë e tij, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, ka mbajtur në pronësi armën e tipit “M-48” si dhe një fishek, e cila është gjetur dhe konfiskuar nga ana e zyrtarëve të policisë.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi