Pranon fajësinë, 700 euro gjobë ndaj të akuzuarit për armëmbajtje pa leje

GJTH
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Nëntor 4, 2019

 


Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, e ka dënuar me 700 euro gjobë, të akuzuarin për armëmbajtje pa leje, Lekë Hajdari.

Shpallja e aktgjykimit është bërë nga gjykatësi Ahmet Rexhaj, menjëherë pas seancës fillestare, ku edhe është aprovuar marrëveshja mbi pranimin e fajësisë të lidhur me Prokurorinë Themelore në Pejë, me 26 korrik 2019, e cila parashihte shqiptimin e dënimit me gjobë prej 700 eurosh.

I akuzuari Hajdari është obliguar edhe në pagesën e paushallit gjyqësor në shumë prej 20 euro, dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej 30 eurove, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimin e marrëveshjes me prokurorinë, e ka mbështetur edhe mbrojtësi i të akuzuarit sipas detyrës zyrtare, avokati Flamur Kelmendi, i cili njëkohësisht kërkoi nga gjykata që të mbrojturit të tij t’i shqiptohet një dënim sa më i ulët, sesa ai që është i paraparë në marrëveshje.

“Për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike, i propozoj gjykatës që në suaza ligjore, të pandehurit t’i shqiptohet një dënim më i ulët se marrëveshja për pranimin e fajësisë”, ka thënë Kelmendi.

Pranimin e fajësisë e ka mbështetur edhe prokurorja Lumturije Vuqetaj, e më pas e ka aprovuar edhe gjyqtari Rexhaj.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 korrik 2019, Prokuroria Themelore në Pejë, Lekë Hajadarin e akuzon për veprën penale për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par. 1 të KPRK-së.

Në akuzë thuhet që me 8 qershor 2019, në Pejë, pikërisht në shtëpinë e tij, i akuzuari, pa autorizim ka poseduar armën “AK-47”, së bashku me dy karikatorë dhe 46 fishekë, me ç’rast pasi njoftohet, policia e konfiskon atë. /BetimipërDrejtësi