Pranojnë fajin, dënim me kusht ndaj të akuzuarve për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm

Foto, Gjykata Podujeve, 7
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Tetor 8, 2019

Podujevë – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, i ka dënuar me nga 200 euro me kusht dy të akuzuarit për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, Muhamet Sheholli dhe Fehmi Fetahaj.

Dënimi me kusht, nuk do të ekzekutohet në afat prej një viti, nëse të akuzuarit nuk kryejnë vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, ata janë ngarkuar edhe me shpenzimet e procedurës dhe atë me nga 20 euro për shpenzime procedurale dhe 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit, të cilën shumë obligohen ta paguajnë në mënyrë solidare.

Ndërsa, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.

Ky aktgjykim është shpallur pasi të akuzuarit në seancën e së martës, e kanë pranuar fajësinë.

“E pranoj fajin, më vjen keq që ka ndodhur rasti. Nuk kam pasur qëllim që ta dëmtoj askënd  dhe as të kryej këtë vepër. Kemi qenë duke punuar në shtëpi, e për të lehtësuar punën e punëtorëve i kam lejuar të lidhin kabllon për të dërguar rrymë në vendin ku punohej. Për të parën herë jam para gjykatës. Kërkoj një dënim sa më të lehtë”, ka deklaruar i akuzuari Sheholli.

Ndërkaq, edhe i akuzuari tjetër Fetahaj, ka deklaruar se e pranon fajin, duke shprehur se veprimi i tij kishte ndodhur nga pakujdesia, ku sipas tij, një gjë e tillë atij nuk i kishte ndodhur për 20 vjet të punës së tij.

Me pranimin e fajësisë së të akuzuarve, është pajtuar prokurorja Rukije Sheshivari, e më pas këtë e ka aprovuar edhe gjykatësi i çështjes, Minir Hoti.

Prokurorja Sheshivari, në fjalën e saj përfundimtare, ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit dhe sipas saj, të merret parasysh pranimi i fajësisë, si rrethanë lehtësuese.

Fjalën përfundimtarë të prokurores Sheshivari, e ka mbështetur edhe përfaqësuesi i KEDS-it,  Arban Mehmeti, i cili ka shtuar se paraqet kërkesë pasurore-juridike për dëmin e shkaktuar në vlerë prej 350.98 euro, duke shpresuar që gjykata do t’i obligojë ata për kompensim dëmi.

Ky shqyrtim ishte caktuar pasi gjykata kishte nxjerrë urdhër ndëshkimor për të akuzuarit e lartcekur, vendim ky për të cilin ata kishin paraqitur kundërshtim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së 14 majit 2019, Muhamet Sheholli akuzohet se me 16 mars 2019, në rrugën “Agron Rrahmani”, në Podujevë, ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve dhe pasurinë, ashtu që ai pa autorizim të kompanisë KEDS dhe nga pakujdesia, duke menduar me mendjelehtësi se deri tek pasoja e ndaluar nuk do të vijë, kishte marr një kabllo dhe të njëjtën nga shtëpia e tij e kishte fiksuar në shtyllën elektrike, me qëllim të përdorimit rreth punëve ndërtimore.

Sipas aktakuzës, në ndërkohë derisa në atë rrugë ka qenë duke lëvizur kamioni i tipit “IVECO”, të cilin e drejtonte i akuzuari Fehmi Fetahaj, nga pakujdesia e kishte goditur shtyllën elektrike, ku si pasojë e goditjes është shkëputur kablloja e rrymës, e cila atëherë kishte rënë mbi kamion, të cilin e drejtonte Muhedin Havolli.

Aktakuza në fjalë thotë se kablloja që i akuzuari Sheholli e kishte vendosur në shtyllë, ka qenë e ulur jashtë standardeve të kërkuara, ku KEDS-it i është shkaktuar dëm material.

Në dispozitivin  e dytë të aktakuzës thuhet se Fehmi Fetahaj, akuzohet se më 18 mars 2019, rreth orës 11:30, në rrugën “Agron Rrahmani”, në Podujevë, ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve dhe pasurisë, ashtu që derisa ishte duke drejtuar kamionin e tipit “IVECO”, nga pakujdesia gjatë kthimit prapa, me pjesën e pasme të anës së djathtë ka goditur shtyllën elektrike e më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes, ku kishte dëmtuar shtyllën në fjalë dhe kështu kishte shkaktuar dëm material KEDS-it.

Me këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprat penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, të paraparë me nenin 365 par.6 lidhur me par. 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi