Pranojnë fajësinë, zyrtari i MD-së dhe zyrtari korrektues dënohen me gjobë për dhënie e marrje ryshfeti (Video)

Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Dhjetor 6, 2018

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, i ka shpallur fajtorë, zyrtarin e Ministrisë së Diasporës (MD), Petrit Mustafa, i akuzuari për dhënie ryshfeti, si dhe zyrtarin e Shërbimit Korrektues, Stefan Veliqkoviq, i akuzuar për “marrje ryshfeti”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj Veliqkoviqit, gjykata shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve, mirëpo, me pëlqimin e të akuzuarit, ky dënim u shndërrua në dënim me gjobë në lartësi prej 2800 euro.

Po ashtu, Veliqkoviqit iu shqiptua edhe dënim me gjobë në lartësi prej 4000 euro.

Si dënim unik, i akuzuari Veliqkoviq u dënua me gjobë në lartësi prej 6800 euro.

Gjashtë muaj burg, gjykata i shqiptoi edhe të akuzuarit Mustafa, por, me pëlqimin e tij, ky dënim iu shndërrua në dënim me gjobë në lartësi prej 2800 euro.

Të akuzuarit, tashmë të suspenduar nga pozitat e tyre, akuzoheshin se kishin tentuar ta lironin nga burgu, Mario Millosheviqin.

Paraprakisht, prokurori i rastit, Ibrahim Berisha bëri të ditur se mes Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësit të të akuzuarit Veliqkoviq, avokatit Halil Balaj, më 26 nentor të këtij viti, është arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Sipas kësaj marrëveshje, prokurori Berisha tha se i kanë propozuar gjykatës që të akuzuarit Veliqkoviq t’i shqiptojë dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muaj dhr i njëjti me pëlqimin e të akuzuarit të shndërrohet në dënim me gjobë si dhe dënim me gjobë në lartësi prej 4000 euro.

Deklarimin e prokurorit Berisha e përkrahi edhe avokati Balaj, i cili tha se i mbrojturi i tij e ka pranuar fajin dhe është penduar për veprën që ka kryer.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Berisha, edhe i akuzuari tjetër, Petrit Mustafa u deklarua fajtor për veprën penale më të cilën ngarkohej.

Marrëveshjen e pranimit të fajësisë mes prokurorisë dhe të akuzuarit Veliqkoviq si dhe pranimin e fajësisë nga i akuzuari Mustafa, e aprovoi pastaj me aktvendim, gjykatësja e rastit, Shadije Gërguri.

Gjithashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Mustafa, avokati Florent Latifaj, i propozoi gjykatës që ndaj të akuzuarve të ndërpret masën e paraburgimit, pasi siç tha, pas pranimit të fajësisë kanë pushuar shkaqet për një masë të tillë.

Një kërkesë të tillë nuk e kundërshtoi as prokurori Berisha, ashtu që, gjykatësja Gërguri ua ndërpreu paraburgimin të dy të akuzuarve.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 21 nëntor 2018, i akuzuari Veliqkoviq gjatë periudhës korrik-gusht 2018 në cilësinë e gardianit në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar ryshfet nga i akuzuari Petrit Mustafa, më të cilin ishin takuar në parkingun e ETC-së në Lipjan.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Mustafa i kishte ofruar të akuzuarit Veliqkoviq 1.500 euro dhe një telefon “Nokia”, ndërsa pas disa ditësh ishin takuar në pishinën “Kalifornia”, në Lipjan, ku të akuzuarit Veliqkoviq i kishte ofruar edhe një shumë prej 1.500 euro dhe një telefon “Iphone 5S”, me qëllim që t’i mundësohet arratisja nga burgu Mario Millosheviqit i cili gjendej në paraburgim.

Prokuroria të akuzuarin Veliqkoviq e ngarkonte me veprën penale “marrja e ryshfetit”, ndërsa të akuzuarin Mustafa me veprën penale “dhënia e ryshfetit”.