Pranojnë fajësinë, tre vjet burg ndaj të akuzuarit për vjedhje të rëndë, burg me kusht për ndihmësin e tij

Foto nga shpallja, 4 shtator
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Shtator 4, 2019

Podujevë – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, e ka dënuar me tre vjet burg dhe 100 euro gjobë të akuzuarin për vjedhje të rëndë, Hamit Hoxha.

Këto dënime ndaj tij, do të ekzekutohen pasi që ky aktgjykim të marr formën e prerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, tani të dënuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, e cila masë i është vazhduar me aktvendim të veçantë.

Ndërsa, Berat Muqolli që akuzohej për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vjedhjes së rëndë, është dënuar me një vit burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale, brenda dy vjetësh.

I akuzuari Muqolli, është dënuar edhe me 6000 euro gjobë, të cilën është obliguar ta paguajë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Gjykatësi i çështjes Gazmend Bahtiri, me rastin e shpalljes së aktgjykimit, ka deklaruar se dënimi me tre vjet burg dhe 100 euro gjobë, i është shqiptuar të akuzuarit Hoxha, pasi ai është recidivist i njohur i veprave penale të vjedhjes së rëndë dhe se ai veprat e këtij llojit i ka përsëritur brenda një periudhe jo të gjatë, e ku sipas tij, dënimet e mëhershme nuk kanë dhënë efekt në rehabilitimin e tij.

Ai ka thënë se gjykata ka gjetur se ai veprën e ka kryer me dashje, ndërsa si rrethana rënduese sipas tij, llogaritet intensiteti i rrezikimit apo dëmtimit të vlerës së mbrojtur, e që është prona private dhe pasuria.

Ndërsa, të akuzuarit tjetër Muqolli, sipas gjykatësit Bahtiri, i është kushtëzuar dënimi me një vit burg, pasi ka pranuar fajin dhe është hera e parë që ka rënë ndesh me ligjin.

Ky aktgjykim, është shpallur pasi në seancën e 2 shtatorit 2019, ata kanë pranuar fajësinë për veprat penale për të cilat akuzohen.

“E pranoj fajësinë për të gjitha pikat e aktakuzës, pendohem për atë që ka ndodhur. I kërkoj falje të dëmtuarve dhe i premtoj gjykatës se në të ardhmen nuk do të përsëritet vepra penale”, kishte deklaruar i akuzuari Hoxha.

Deklarimin e tij lidhur me pranimin e fajësisë, e ka mbështetur avokati i tij i caktuar sipas detyrës zyrtare, Xhevat Rama.

I penduar për veprën penale të kryer, është deklaruar edhe i akuzuari tjetër Muqolli, në seancën e së 2 shtatorit.

“E pranoj fajësinë për veprën penale, ndjejë keqardhje, pendohem për atë që ka ndodhur, është hera e parë që kam rënë ndesh me ligjin. I premtoj gjykatës së në të ardhmen nuk do të përsëritet”, kishte deklaruar ai.

Ndërsa, avokati i tij Naser Sopjani, ka kërkuar nga gjykata zbatimin e të gjitha dispozitave që kanë të bëjnë me zbutjen e dënimit, duke pretenduar se nuk ka asnjë rrethanë rënduese, e ku sipas tij, qëllimi i dënimit i caktuar me ligj do të arrihet edhe me dënimin e kushtëzuar.

“Karakteristikat e tij flasin se kemi të bëjmë me një gabim i cili mund të ndikojë negativisht në të ardhmen e tij, andaj kërkojmë një shans që të rehabilitohet më shpejtë”, kishte thënë ai.

Pranimin e fajësisë së të akuzuarve, nuk e kishte kundërshtuar prokurori Ali Ajdini dhe më pas e kishte aprovuar gjykatësi i çështjes Gazmend Bahtiri.

Sipas aktakuzës së ngritur më 16 gusht 2019, Hamit Hoxha akuzohet se më 3 gusht 2019, në orë të papërcaktuar, në rrugën “Sejdi Sekiraqa”, në fshatin Obranqë-Komuna e Podujevës, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë, ka depërtuar me forcë në objektin e mbyllur shtëpinë/garazhin e Hajrullah Berishës, tani i dëmtuar.

Në aktakuzë thuhet se nga aty ka vjedhur një motosharrë për prerjen e druve, mjete të punës “trapan”, me kutinë e tij, e më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, por që më pas është ndaluar nga Policia e Kosovës, me ç’rast në automjetin që drejtonte i akuzuari Berat Muqolli, ndodhej edhe i akuzuari Hoxha si dhe i mituri E.H, e në të cilin ishin gjetur gjësendet e vjedhura.

E në dispozitivin e dytë të aktakuzës, Berat Muçolli akuzohet se me datë dhe orën e njëjtë, i ka ndihmuar Hamit Hoxhës në kryerjen e veprës penale të vjedhjes së rëndë, ku ka vënë në dispozicion automjetin e tipit “Golf 7”, me targa austriake, të cilin edhe e ka drejtuar, e bashkë me të miturin E.H dhe të akuzuarin Hoxha i kanë ngarkuar gjësendet e vjedhura, me qëllim të dërgimit në një lokacion tjetër për t’i fshehur.

Me këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprat penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 315 par.1 pika 1.1 dhe “ndihmë në kryerjen e veprës penale vjedhje e rëndë” nga neni 315 par.1 pika 1.1 lidhur me nenin 33 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi