Pranojnë fajësinë dy të akuzuarit se rrahën të dëmtuarin me lopatë dhe i akuzuari se e kishte goditur me kubëz betoni

Raporton: Arlinda MUQA

Pejë- Tre të akuzuarit Vehbi Shala, Haki Shala dhe Mehmet Bricori pranuan fajësinë për lëndim të lehtë trupor. Dy të akuzuarit të parë i kishin shkaktuar lëndime babait të këtij të fundit, duke e rrahur me lopatë, e që pas asaj i akuzuari Bricori e godet të pandehurin me kubëz të betonit. Ata të tre ndihen të penduar për veprën e shkaktuar dhe i kërkuan falje njëri-tjetrit.

Pas pranimit të fajësisë nga tre të akuzuarit për përleshjen në mes tyre, të njëjtit deklarojnë se ndihen fajtorë që të tre dhe kërkojnë falje nga familjet dhe gjykatës njëkohësisht, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.

Fillimisht mbrojtësi i të pandehurit Vehbi Shala, avokati Isa Osdautaj, deklaroi se nuk i posedojnë provat shtesë e as ekspertizën e nxjerrë tash e dy muaj, andaj kërkon që brenda afatit sa më të shkurtër kohor t’i dorëzohen ato. Ndërsa, sa i përket shqyrtimit të sotëm, Osdautaj propozoi që të mbahet seancë e rregullt.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Dorian Juniku, të akuzuarit Vehbi Shala, Haki Shala dhe Mehmet Bricori deklaruan se e pranojnë fajësinë për veprën penale, duke deklaruar se ju  vjen keq për atë çfarë ka ndodhur si dhe kërkuan falje, pasi që ishte hera e parë që ka ndodhur diçka mes tyre, e që u zotuan se nuk do të përsëritet më në të ardhmen.

Prokurori Juniku u pajtua me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve Vehbi Shala, Haki Shala dhe Mehmet Bricori, për veprën penale për të cilën akuzohen, pasi që një pranim i tillë është bërë në mënyrë të vullnetshme, ndërsa kërkoi nga gjykata që të njëjtit t’i dënojë sipas ligjit si dhe t’i obligojë me pagesën e shpenzimeve të procedurës.

Mbrojtësi i të akuzuarit Vehbi Shala, avokati Isa Osdautaj, u pajtua me pranimin e fajësisë që e deklaroi i mbrojturi i tij. Ai propozoi që gjykata t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese për veprën penale kundër të pandehurit, pasi që sipas tij, rasti ka ndodhur aksidentalisht, pa ndonjë planifikim apo organizim, por për një mosmarrëveshje telefonike.

I njëjti i propozon gjykatës që me rastin e vendimit të marrë një dënim me të lehtë, pasi që i njëjti ishte deri më tani në paraburgim dhe i ka vuajtur pasojat e veprës.

Tutje, mbrojtësi i të pandehurit Haki Shala, avokati Taulant Broqi, lidhur me pranimin e fajësisë, deklaroi se i mbrojturi i tij e bëri me vullnet të lirë. Ai i propozoi gjykatës që ta aprovojë pranimin e fajësisë dhe që gjatë marrjes së dënimit t’i shqiptojë një dënim sa më të favorshëm, sepse i mbrojturi i tij tashmë ka aplikuar për vizë pune jashtë vendit.

Mbrojtësi i të pandehurit Mehmet Bricori, avokati Kadri Prekaj, deklaroi se i mbrojturi i tij e ka kuptuar pranimin e fajësisë dhe se është i vetëdijshëm për benefitet që ia sjell pranimi i fajësisë, e po ashtu edhe pasojat. Ai kërkoi që pranimi i fajësisë të merret si rrethanë lehtësuese në marrjen e vendimit mbi dënimin e palës. Gjithashtu, avokati Prekaj ceku se duhet të merret parasysh pajtimi i familjeve dhe kërkimi i faljes para gjykatës, e po ashtu duke marrë parasysh moshën e tij të re, kërkoi që t’i shqiptohet dënimi me gjobë.

Gjyqtari i rastit Musa Povataj mori vendimin që t’ju pranohet pranimi i fajësisë për veprën penale për të cilën ngarkohen të pandehurit.

Më pas avokati Isa Osadutaj propozoi që pasi të pandehurit e kanë pranuar fajësinë t’u ndërpritet masa e paraburgimit. Për këtë propozim, prokurori Juniku tha se ia lë gjykatës për të vendosur.

Ndërsa, sa i përket vendimit për masën e paraburgimit, gjyqtari Povataj deklaroi se do të marrë aktvendim të veçantë të formës së shkruar.

Ndërkaq, shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 27 tetor të këtij viti.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, me 11 tetor 2021, kundër Vehbi Shala, Haki Shala dhe Mehmet Bricori, thotë se me 30 korrik 2021, rreth orës 17:45, në rrugën ‘‘UÇK’’, në Pejë, në afërsi të palestrës ‘’Karagaç’’, me dashje e në bashkëveprim, duke përdorë mjetin e fortë-lopatën, të pandehurit Vehbi dhe Haki Shala i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Tahir Bricori.

Sipas aktakuzës, gjersa të pandehurit ishin duke qarkulluar me kamionetën e tyre, për një moment vërejnë të dëmtuarin i cili ishte duke qëndruar pranë veturës së tij, i pandehuri Vehbi i cili ishte duke e drejtuar kamionetën, e kthen menjëherë dhe ndalon pranë të dëmtuarit, ku nxjerrin nga rimorkio një lopatë, i afrohen të dëmtuarit dhe e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, e si pasojë të goditjeve të dëmtuarit i shkaktojnë lëndime të lehta trupore.

Për çka thuhet në aktakuzë se në bashkëveprim kanë kryer vepër penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’, nga neni 185 par.2 lidhur me par.1 nën par, 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, i cili parasheh dënimin me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.

Tutje sipas aktakuzës, me të njëjtën datë, kohë dhe vend, i pandehuri Mehmet Bricori, me dashje duke përdorur mjetin e fortë-kubëzën e betonit i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Haki Shala, pasi i pandehuri e vëren se babai i tij ishte sulmuar si më lart, dy të pandehurit Shala hyjnë në kamionetë për t’u larguar, po përpara u del i pandehuri Bricori me një kubëz të betonit në dorë, i cili e gjuan kubëzën në drejtim të tyre, me ç’rast me të njëjtën e godet të dëmtuarin në ballë, e si pasojë i shkakton lëndime të lehta trupore.

Për çka thuhet në aktakuzë se ka kryer veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’, nga neni 185 par.2 lidhur me par.1 nën par, 1.4, të Kodit Penal, i cili parasheh dënimin me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet./BetimipërDrejtës

 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë. 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë