Pranojnë fajësinë dy të akuzuarit për posedim dhe shpërndarje të narkotikut në Burgun e Dubravës
Raporton: Arlinda MUQA
Pejë- Dy të akuzuarit I.B dhe A.Z, u deklaruan fajtorë për posedim dhe shpërndarje të narkotikut, në rastin ku e akuzuara Z. ngarkohet se ishte detyruar që t’ia dërgojë të akuzuarit B., të dënuar në Burgun e Dubravës, narkotikun e llojit marihuanë, në peshë prej 25 gramë.
Pranimin e fajësisë, dy të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Valbona Disha- Haxhosaj, ku të dytë shprehen keqardhje ndaj gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me pranim të fajësisë nga ana e të akuzuarve, u pajtua prokurorja Disha- Haxhosaj, ku e njëjta deklaroi se ka mbështetje edhe në provat materiale, për çka i propozoi gjykatës që t’ua aprovojë pranimin e fajësisë.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit I.B, avokati Xhelal Radoniqi, propozoi që të pranohet pranimi i fajësisë, pasi që i njëjti është i vullnetshëm dhe në konsultim paraprak me të si mbrojtës i tij.
Kurse, mbrojtësja e të akuzuarës A.Z, avokatja Pranvera Ukaj lidhur me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës deklaroi se e përkrah pranimin e fajësisë nga ana e të mbrojturës së saj, e cila pranimin e fajësisë e bëri pas konsultimit me të si mbrojtëse. Andaj, kërkoi që gjykata t’ia aprovojë pranimin e fajësisë.
Pas kësaj, gjyqtari i vetëm Sami Sharraxhiu, ua aprovoi pranimin e fajësisë, nga dy të akuzuarve për veprat penale për të cilat akuzohen.
Ndërsa, lidhur me përcaktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit ndaj të akuzuarit B., prokurorja i propozoi gjykatës që si rrethanë lehtësuese ta vlerësojë pranimin e fajësisë, ndërsa si rrethanë rënduese faktin se i njëjti ka qenë i dënuar për vepër penale të vjedhjes së rëndë.
Kurse, në raport me të akuzuarën Z. prokurorja deklaroi se si rrethanë lehtësuese ta vlerësojë pranimin e fajësisë si dhe faktin se e njëjta nuk ka rënë ndesh me ligjin asnjëherë më parë, kurse rrethana rënduese nuk kishte gjetur tek ajo.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit B., avokati Xhelal Radoniqi, deklaroi se pranimi ishte i vullnetshëm dhe i mbrojturi i tij kishte pendim të thellë dhe ndjen keqardhje ndaj të akuzuarës Z., sipas tij kjo e fundit ishte viktimë e të akuzuarit.
Ai kërkoi që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet dëmin sa më i butë.
“Më vjen keq për rastin që ka ndodhur, ndjej keqardhje për A. të njëjtën e kam detyruar që të ma sjell substancën narkotike, ajo nuk ka qenë e vetëdijshme për dënimin, sepse unë e kam gënjyer i kam thënë edhe nëse ndodh diçka veprën penale nuk do ta pranoj”, tha i akuzuari B.
Tutje, mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Pranvera Ukaj, deklaroi se e përkrah propozimin e prokurores që në raport me të mbrojturën e saj, në përcaktimin e llojit të dënimit dhe lartësisë së tij, si rrethana lehtësuese të merret pranimi i fajësisë dhe faktin se është hera e parë që e njëjta bie ndesh me ligjin, andaj kërkoi t’i shqiptohet dënim nën minimumin e paraparë me ligj.
Pas kësaj, gjyqtari Sharraxhiu mori vendim që shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 15 qershor 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë ndaj I.B dhe A.Z, më 15 maj 2022, në Qendrën Korrektuese- Dubravë, i akuzuari I.B në sallën e vizitave pa autorizim ka poseduar substanca narkotike në brendi të institucionit korrektues.
Sipas aktakuzës, oficerët korrektues gjatë vrojtimit të kamerave në dhomën e kontrollit kanë vërejtur lëvizje të dyshimta të vizitores- të akuzuarës A.Z, dhe të dënuarit I.B, ku në një moment vërehet e akuzuara Z, duke nxjerrë diçka nga trupi dhe duke ia lëshuar në dorë të akuzuarit B., me ç’rast menjëherë në sallë të vizitave kanë shkuar Departamenti i Stafit të Sigurisë dhe së bashku me stafin e sallës së vizitave kanë tërhequr nga salla të akuzuarën dhe të burgosurin.
Aktakuza thotë se gjatë bastisjes i gjejnë dhe sekuestrojnë një pako të vogël të mbështjellë, ku në brendësi të saj kishte substancë narkotike të dyshuar, e cila ka rezultuar të jetë marihuanë me peshë 25 gramë.
Për çka, I.Z ngarkohet se ka kryer vepër penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substanca psikotrope ose analoge” nga neni 269, par.1 lidhur me nenin 275, par.1 pika 1.8 të Kodit Penal, e cila dënohet me gjobë ose me burgim prej 3 deri në 15 vite.
Sipas aktakuzës, për të njëjtat veprime si më lartë po akuzohet e akuzuara A.Z, për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shtija e paautorizuar e narkotikëve, substanca psikotrope dhe analoge” nga neni 267, par.2 e lidhur me nenin 275, par.1, pika 1.8 të Kodit Penal, e cila dënohet me gjobë ose me burgim prej 3 deri 15 vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.