Pranojnë fajësinë dy të akuzuarit për grabitje të taksistëve në vitin 2008

Raporti për web- rasti Visar Preteni etj, 7 qershor 2019
Author

Raporton: Saranda MEHANA              

Qershor 7, 2019

Mitrovicë – Të akuzuarit për rastet e rënda të vjedhjes grabitqare apo të grabitjes, Visar Preteni dhe Lulëzim Ismaili, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kanë pranuar fajësinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ismet Ujkani,  Preteni dhe Ismaili janë deklaruar fajtor për veprat që i vihen në barrë, raporton “ Betimi për Drejtësi”.

Pranimi i fajësisë nuk është kundërshtuar nga prokurori Ujkani, i cili i propozoi gjykatës që të marr për bazë rrethanat rënduese dhe lehtësues në rastin e caktimit dhe lartësisë së dënimit.

Edhe avokati Fuad Haliti, i cili në këtë rast e mbron të akuzuarin Visar Preteni, ka propozuar që gjykata të marr parasysh edhe faktin se klienti i tij ka shprehur keqardhje dhe se ka kaluar një kohë e gjatë nga kryerja e veprës penale.

Sipas avokatit Halitit, që nga ajo kohë i akuzuari ka reflektuar dhe se asnjëherë më nuk ka rënë ndesh me ligjin.

Gjithashtu, edhe avokati Shermet Ademi, i cili mbron të akuzuarin Lulezim Ismajli, ka thënë se pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare, dhe se klienti i tij do të përpiqet me tërë qenien e tij që asnjëherë më të mos bie në ndesh me ligjin.

Në këto rrethana, gjykatësi Avni Mehmeti e ka caktuar shpalljes e aktgjykimit me 10 qershor 2019.

Në këtë rast, ka qenë i akuzuar edhe Betim Syla, por në seancën e mbajtur më 6 qershor 2019, ishte veçuar procedura ndaj tij, me arsyetimin se jeton jashtë shtetit dhe nuk dihet saktë adresa e tij e banimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ish-Prokurorisë Publike të Qarkut, të ngritur më 31 tetor 2008, Betim Syla e Visar Preteni akuzohen se më 19 tetor 2008, në Mitrovicë, pas një marrëveshjes paraprake si grup i armatosur, pasi që janë armatosur me tre armë imituese-revole dhe dy thika, me qëllim që vetit ti sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm me përdorimin e forcës dhe kërcënimit, nga i dëmtuari Gani Ademi kanë marr sendet e luajtshme.

Gjithmonë sipas aktakuzës, këtë e kanë bërë në atë mënyrë që së pari kanë shkuar në Prishtinë, ku i dëmtuari punon si taksist, dhe janë marr vesh që t’i sjellë në Mitrovicë për çmimin prej 20 euro, e siç thuhet në aktakuzë i dëmtuari ka pranuar dhe me automjetin e tij është nisur për në Mitrovicë. Tutje, në aktakuzë thuhet se kur kanë arritur në Mitrovicë, kanë kaluar tunelin, janë kthyer në rrugën e parë djathtas që të dërgon në lagjen Bair, dhe me të hyrë në këtë rrugë e kanë detyruar viktimën ta ndalë veturë.

E siç thuhet në aktakuzë, të njëjtit kanë dalë nga vetura, i kanë nxjerrë armët duke ia drejtuar viktimës dhe me kërcënim e kanë detyruar që i njëjti t`ua jap parat që i ka, në këtë mënyrë që nga ai kanë marr para në vlerë prej 120 euro, një telefon celular të tipit “Nokia”, e pastaj e kanë urdhëruar viktimën që të largohet.

Me këto veprime, Betim Syla e Visar Preteni akuzohen për veprën penale të rasteve të rënda të vjedhjes grabitqare apo të grabitjes.

Tutje, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Betim Syla e Visar Preteni akuzohen po ashtu se më 24 tetor 2008, në fshatin Kqiq i Madh, pas marrëveshjes paraprake e si grup i armatosur me tre armë imituese–revole dhe dy thika, me qëllim që vetit ti sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, me përdorimin e forcës dhe kërcënimit, nga i dëmtuari Agron Ademi kanë marrë sendet e luajtshme.

Sipas aktakuzës, të njëjtit së pari kanë shkuar në Prishtinë ku i dëmtuari punon si taksist në kompaninë “Dallas”, e janë marr vësh që t`i sjellë në Mitrovicë, kështu që i dëmtuari ka pranuar dhe me automjetin e tij  është nisur për në Mitrovicë, dhe kur kanë arritur në fshatin Kqiq i Madh, e kanë detyruar që të kthehet në të majtë në një rrugë të paasfaltuar dhe me të hyrë në këtë rrugë e kanë detyruar viktimën ta ndalë veturën, kanë dalë nga vetura, i kanë nxjerrë armët duke i drejtuar viktimës, dhe me kërcënim e kanë detyruar që viktima t`ua jap parat që i ka pas me vete.

Gjithnjë sipas aktakuzës, nga i dëmtuari kanë marr paratë në vlerë prej 72 euro, një telefon të tipit “ Motorla”, e pastaj e kanë urdhëruar viktimën që të qëndroj aty gjersa ata të largoheshin nga vendi i ngjarjes.

Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Betim Syla e Visar Preteni akuzohen se më 26 tetor 2008, në fshatin Kqiq i Madh, pas marrëveshjes paraprake e si grup i armatosur me tre armë imituese – revole dhe dy thika, me qëllim që vetit ti sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, me përdorimin e forcës dhe kërcënimit, nga i dëmtuari Asllan Canolli kanë marrë sendet e luajtshme.

Sipas aktakuzës, së pari kanë shkuar në Prishtinë ku i dëmtuari punon si taksist në kompaninë “Beki”, dhe janë marr vësh që t`i sjellë në Mitrovicë me çmimin prej 25 euro, kështu që i dëmtuari ka pranuar dhe me automjetin e tij  është nisur për në Mitrovicë, dhe kur kanë arritur në fshatin Kqiq i Madh, e kanë detyruar që të kthehet në të majtë në një rrugë të paasfaltuar, dhe me të hyrë në këtë rrugë e kanë detyruar viktimën ta ndalë veturën, kanë dalë nga vetura, i kanë nxjerrë armët duke i drejtuar viktimës dhe me kërcënim e kanë detyruar që viktima t`ua jap paratë që i ka pas me vete.

E sipas aktakuzës, nga i dëmtuari kanë marr paratë në vlerë prej 70 euro, një telefon të tipit “Nokia 310”, kuletën me dokumente personale dhe kasetofonin e automjetit të tipit “Sony”, e pastaj e kanë urdhëruar viktimën që të qëndroj aty gjersa ata të largoheshin nga vendi i ngjarjes.

Ndërkaq, Betim Syla, Visar Preteni dhe Lulezim Ismajli, akuzohen edhe se më 29 tetor 2008, në Vushtrri, pas marrëveshjes paraprake e si grup i armatosur me tre armë imituese – revole dhe dy thika, me qëllim që vetit ti sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, me përdorimin e forcës dhe kërcënimit, nga i dëmtuari Mursel Xhemajli, kanë marrë sendet e luajtshme.

Në atë mënyrë që së pari kanë shkuar në Prishtinë ku i dëmtuari punon si taksist privat, e janë marr vësh që t`i sjellë në Vushtrri me çmimin prej 15 euro, kështu që i dëmtuari ka pranuar dhe me automjetin e tij  është nisur për ti sjellë në Vushtrri, dhe kur kanë arritur në afërsi të “Banjska Transit”, të pandehurit e kanë detyruar që të kthehet  në të majtë në një rrugë të paasfaltuar në afërsi të xhamisë që gjendet aty, e kanë detyruar viktimën ta ndalë veturën, kanë dalë nga vetura i kanë nxjerrë armët duke i drejtuar viktimës dhe me kërcënim se do ta sulmojnë jetën e tij kanë kërkuar nga i njëjti që t’ua jap të gjitha të hollat që i ka me vetë.

Sipas aktit akuzues, në këtë rast i dëmtuari ka kundërshtuar, ka filluar të ikë mirëpo të dyshuarit kanë arritur t`ia heqin xhaketën nga trupi, e nga e cila xhaketë të dyshuarit kanë marr një telefon të markës “Nokia” dhe një palë çelësa të automjetit, ndërsa i dëmtuari ka arritur të ikë ku ka  dalë në rrugën kryesore, ka ndalur një automjet përmes të cilit ka lajmëruar policinë, e pastaj menjëherë pas kësaj policia të dyshuarit i ka arrestuar në afërsi të vendit të ngjarjes. /Betimipërdrejtësi