Pranojnë fajësinë, dënohen me gjobë tre të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor

FB_IMG_1559243668922
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Qershor 10, 2019

Istog – Nga 400 euro gjobë, ka shqiptuar Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, të hënën, për të akuzuarit për veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”, Blerim Brahimaj, Rexhep Brahimaj dhe Bakija Brahimaj.

Gjykatësi Gani Rugova tha, se të pandehurit obligohen po ashtu që, secili veç e veç, të paguajnë shumë prej 60 euro, në emër të shpenzimeve procedurale gjyqësore.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur pasi paraprakisht tre të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë për veprën penale më të cilën ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E gjitha ka qenë e rastit. Që nga ajo kohë nuk kemi pasur ndonjë të keqe ndërmjet vete dhe as që do të këtë”, ka thënë i pandehuri Rexhep Brahimaj.

Prokurori Arben Hoti, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga të pandehurit, duke kërkuar nga gjykata, që me rastin e marrjes së vendimit, të merret si rrethanë lehtësuese pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarve.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë më 11 maj 2017, me të cilën Blerim Brahimaj, Rexhep Brahimaj dhe Bakija Brahimaj, akuzohen për veprën penale “lëndimi i lehtë trupor” nga neni 188 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit, më 10 tetor 2016, rreth orës 14:10, në rrugën “Fadil Ferati” në Komunën e Istogut, me dashje dhe në bashkëveprim i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Durim Avidijaj.

Sipas aktakuzës, përderisa i dëmtuari ishte duke e drejtuar automjetin, i pandehuri Blerim Brahimaj, i ka ngritur dorën të dëmtuarit në shenjë që ta ndalojë veturën, dhe posa ndalet i dëmtuari, Blerim Brahimaj i drejtohet me fjalët “a po më njeh”, dhe më pas afrohet edhe vëllai i tij, Bakija duke iu drejtuar të dëmtuarit me fjalët “unë ta q…n…”.

Tutje, sipas aktakuzës, Blerim dhe Bakija Brahimaj, fillojnë ta godasin të dëmtuarin me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, ku në ato momente bashkëngjitet edhe i pandehuri Rexhep Brahimaj, duke e goditur të dëmtuarin në pjesë të ndryshme të trupit. /Betimipërdrejtësi