Pranojnë fajësinë, dënohen me gjobë të akuzuarit për kallëzim të rremë dhe lëndim të lehtë trupor

IMG_8563
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Gusht 13, 2019

Ferizaj – Gjykata Themelore në Ferizaj, të martën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për veprën penale “lajmërim apo kallëzim i rremë”, Shpend Behluli, si dhe ndaj të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Burim Ilazi.

I akuzuari Behluli, është dënuar me 400 euro gjobë, si dhe është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor, të paguajë shumën prej 20 euro, kurse për fondin e kompensimit të viktimave, 30 euro të tjera.

Ndërsa, i akuzuari Ilazi, është dënuar me 500 euro gjobë, dhe po ashtu është obliguar që të paguajë shumën prej 20 euro për ekspertizën mjekoligjore, 20 euro të tjera në emër të paushallit gjyqësor, si dhe 30 euro në emër të kompensimit të viktimave.

Në rast të mos pagesës, gjykata këto dënime me gjobë, do t’i zëvendësojë me dënim me burg, duke llogaritur një ditë burgimi me 20 euro.

Lidhur me kërkesën pasurore – juridike, i dëmtuari Arianit Selimi është udhëzuar në kontest civil.

Në fillim të kësaj seance fillestare, të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë, duke thënë se janë penduar dhe se nuk do të përsërisin një vepër të tillë penale.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurorja Sebahate Sinani, të cilin pranim, më pas e ka aprovuar edhe gjykatësi i rastit, Ilir Bytyqi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 12 korrik 2018, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Shpend Behluli, akuzohet se më 17 maj 2018, rreth orës 18:20, në Ferizaj, me kërkesë të shokut të tij, të akuzuarit Burim Ilazi, kishte lajmëruar rrejshëm në polici, duke thënë se ishte kanosur me armë nga personi i quajtur Arianit Selimi.

Siç thuhet në aktakuzë, me këtë kishte shkaktuar fillimin e procedurës penale kundër personit për të cilin e kishte ditur që nuk e kishte kryer këtë vepër.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “lajmërim apo kallëzim i rremë”, nga neni 390, paragrafi 2, i KPRK-së.

Kurse, i pandehuri i dytë, Burim Ilazi, akuzohet se në të njëjtën datë dhe kohë, pas një mosmarrëveshje të mëhershme rreth një borxhi, e kishte sulmuar të dëmtuarin Selimi, ku fillimisht e kishte ndjekur me veturën e tij, dhe derisa i dëmtuari ishte në lëvizje me motoçikletë, gjatë kthimit të automjetit në një rrugicë të ngushtë, e kishte goditur me shputën e këmbës së majtë, duke i shkaktuar lëndime trupore, të cilat janë cilësuar si lëndime të lehta dhe me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi