Policia thotë se është suspenduar zyrtari policor që dyshohet se ishte përfshirë në sulmin ndaj një të mituri në Kaçanik

Raporton: Nuraje BLLACA

Prishtinë – Policia e Kosovës ka reaguar ndaj shkrimit të publikuar sot në media me titull: ”Polici bashkë me djalë e rrahin një të mitur me aftësi të kufizuara në Kaçanik”, duke njoftuar se zyrtari policor është suspenduar.

Në shkrimin në fjalë është thënë se një pjesëtar i Policisë së Kosovës, bashkë me djalin e tij, e kanë rrahur fizikisht një të mitur, i cili është me aftësi të kufizuara në Kaçanik, ndërsa asnjë mekanizëm nuk është vënë në lëvizje, duke mos u ndërmarr kështu asnjë masë.

Policia përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ndaj të njëjtit zyrtar policor (Rr.M), stacioni policor në Kaçanik me kohë ka iniciuar procedurat e parapara ligjore.

Po ashtu, sipas Policisë, me kohë është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, Policia bën të ditur se zyrtari policor i lartcekur është suspenduar.

“Vlen të potencohet se bazuar në Udhëzimin Administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës, me datë 01.12.2021, zyrtari policor është suspenduar, përderisa hetimet e mëtejme janë duke u zhvilluar nga IPK-ja”, thuhet në komunikatë./Betimi për Drejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë