Policia s’e zbaton urdhëresën për sjelljen e të akuzuarës në seancë, dështon gjykimi për keqpërdorim të votimit

Raporti për web- rasti Fatima Muminoviq- 10 janar 2019
Author

Raporton: Saranda MEHANA

Janar 10, 2019

Mitrovicë – Për shkak të mos prezencës së të akuzuarës, Fatima Muminoviq, ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj saj, të enjten, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, nën akuzën se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i të drejtës së votimit”.

Siç bëri të ditur gjykatësi i kësaj çështje Beqir Halili, me 17 dhjetor 2018, është lëshuar urdhërarresti ndaj të akuzuarës, e i cili edhe është pranuar nga ana e Stacionit Policor në Leposaviq, më 29 dhjetor 2018.

Mirëpo, në seancën e së enjtes nuk është sjell e akuzuara Muminoviq, po ashtu siç njoftoi gjykatësi Halili, Policia nuk ka informuar për arsyen e mos zbatimit të kësaj urdhërese, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Halili shtoi se nga Stacioni Policor në Leposaviq, do të kërkohet sqarim lidhur me mos zbatimin e urdhëresës në fjalë, e pas marrjes së kësaj informate të caktohet edhe shqyrtimit tjetër.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 16 maj 2017 ka ngritur aktakuzë ndaj Fatima Muminoviq, e cila akuzohet se më 3 nëntor 2013 në zgjedhjet lokale ka votuar një herë si votuese me kusht në shkollën fillore “Stana Baqanin” në fshatin Vraqev – Leposaviq, e më pas, siç thuhet në aktakuzë, ka votuar si votuese e rregullt në shkollën fillore “Stana Baqanin” në Leshak – Leposaviq.

Me këtë organi i akuzës e ngarkon me veprën penale “keqpërdorimi i të drejtës së votimit” nga neni 216 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi