Policia s’e gjen të akuzuarin në shtëpi, shtyhet sërish gjykimi për vjedhjen e mbi 6 metra drunj
Raporton: Blerim JAKUPI
Kamenicë – Me arsyetimin se zyrtarët policorë nuk e gjetën në shtëpi të akuzuarin për ta sjellë në seancë, për të katërtën herë me radhë ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku M.R. po akuzohet se në tetor të 2019-ës, me qëllim vjedhje me sharrë motorike ka prerë 4 copë drunj, me një vëllim të përgjithshëm prej 6.33 m3.
Gjykatësja Valbonë Dërvodeli ka njoftuar se për të akuzuarin M.R. ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me dhunë, mirëpo sipas konfirmimit të policisë, i njëjti nuk ka mundur të sigurohet për pjesëmarrje në seancë, rrjedhimisht ai nuk është gjetur në shtëpinë e tij, raporton “Betimi për Drëjtësi”.
Seanca tjetër është caktuar të mbahet më 21 korrik 2022, ku ndaj të akuzuarit do të përsëritet urdhëresa për sjellje me detyrim.
Ndryshe, edhe seanca e 22 marsit kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së përkthyesit të gjykatës, i cili ishte në pushim vjetor.
Kurse, ajo e 21 prillit kishte dështuar në mungesë të të akuzuarit R., i cili kishte munguar pa arsye, ndërsa seanca e 4 majit kishtë dështuar në mungesë të gjykatëses Dërvodeli e cila kishte rast vdekje.
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 10 janar 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj M.R., me arsyetimin se ai në tetor të 2019-ës në pyllin privat në fshatin Strezoc të Kamenicës, që evidentohet në emër të Dushan Filiq, me qëllim vjedhje me sharrë motorike ka prerë 4 copë drunj me diametër 50, 55, 56 dhe 60 cm, me një vëllim të përgjithshëm prej 6.33 m3, i cili më pas është zënë nga ana e zyrtarëve policorë dhe nga pylltarët përkatës të Komunës së Kamenicës.
Me këtë, M.R. akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhja e pyllit”, nga neni 349, paragrafi 2 lidhur me nenin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në katër vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë