Policia nuk i përgjigjet gjykatës për mos sjelljen e të akuzuarit për korrupsion në seancë

unnamed
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Dhjetor 6, 2018

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet gjykimi për keqpërdorim detyre ndaj menaxherit në institucionin mikro-financiar “KosInvest”, Kujtim Ajvazi, i paraparë për të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ajvazi po akuzohet se kishte bërë marrëveshje për marrjen e kredive me 37 klientë, por nuk ua kishte paguar këstet mujore për kreditë e tyre, siç u ishin premtuar klientëve, duke i shkaktuar “KosInvestit”, dëm në shumën prej 384.581.78 euro, dëm i cili së bashku me kamatën arrin vlerën totale të dëmit prej 486.191.84 euro.

Kjo gjykatë me 21 nëntor 2018, për shkak të mungesës së të akuzuarit Ajvazi, kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me shoqërim me anë të policisë.

Mirëpo, sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Naser Foniqi, Stacioni Policor Qendra në Prishtinë, nuk e kishte sjellë të akuzuarin në gjykatë dhe as nuk e kishte njoftuar gjykatën për arsyet e mos sjelljes.

Sipas Foniqit, nëse policia nuk do të arrijë që ta sigurojë të akuzuarin Ajvazi në këtë shqyrtim gjyqësor, atëherë gjykata do të lëshojë urdhërarrest.

Ndërkaq, seanca është shtyrë në afat të pacaktuar, derisa të sigurohet praninë e tij në këtë procedurë.

Ajvazi akuzohej së bashku me zëvendësdrejtorin e “KosInvest”, Avni Biqkaj dhe me analistin kreditor Astrit Metaj, mirëpo ndaj tij në seancën e 22 shtatorit 2017, ishte veçuar procedura pasi sipas raportit të policisë, gjendej jashtë shtetit.

Ndryshe, në seancën e së enjtes, prezent kanë qenë prokurorja Besa Limani dhe përfaqësuesja e të dëmtuarës “Kosinvest”, avokatja Nora Veliu.

Sipas aktakuzës së ngritur me 28 tetor 2015, i akuzuari Kujtim Ajvazi menaxher në “KosInvest”, dega Prishtinë, prej viteve 2004 e deri në vitin 2012, së bashku me zëvendës drejtorin e këtij institucione Avni Biqkaj dhe me analistin kreditor Astrit Metaj, kishin shfrytëzuar detyrat e tyre zyrtare, me qëllim që të përfitojnë dobi pasurore për vete.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Kujtim Ajvazi, sipas prokurorisë, duke keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, ka bërë marrëveshje për marrjen e kredive me 37 klientë, në shuma të gjithmbarshme e marrjes së kredive kishte qenë 141.883,32 euro.

Në aktakuzë thuhet se ai së bashku me të akuzuarit Biqkaj dhe Metaj, nuk i kishin paguar këstet mujore për kreditë e këtyre personave siç iu kishin premtuar klientëve, ku sipas veprimeve të tyre dëmi i shkaktuar “KosInvestit”, kishte arritur shumën prej 384.581.78 euro dhe së bashku me kamatën arrinte vlerën totale të dëmit prej 486.191.84 euro.

Prokuroria të akuzuarin Ajvazi e ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me neni 31 të KPRK-së.