Policia nuk e zbaton urdhrin e gjykatës, shtyhet seanca për korrupsion

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë – Seanca e paraparë të mbahet ndaj Shefit të BPB-së, Jusuf Arifi, është shtyrë si pasojë e mungesës së dëshmitarëve. Dëshmitarët Vullnet Latifi dhe Arbër Merovci nuk u paraqitën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për të dëshmuar rreth dyshimeve për shpërdorim të detyrës nga i akuzuari Jusuf Arifi.

Mirëpo, edhe pse urdhëresa e gjykatës për të sjellë me forcë dëshmitarin Vullnet Latifi, u pranua nga Policia e Kosovës më 7 shtator 2016, kjo urdhëresë dështoj të zbatohet. Ndërkaq, dëshmitari Arbër Merovci edhe pse kishte premtuar përmes telefonit se do të ishte prezent në gjykatë, ai nuk zbatoj ftesën që gjykata i kishte dërguar dhe premtimin që vet e kishte bërë.

Këto ishin shkaqet që kjo seancë të shtyhet për 25 nëntor 2016.

Ndryshe, Jusuf Arifi, po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë si Shef i Shërbimeve të Jashtme në Bankën për Biznes, duke qenë në dijeni ka nënshkruar dhe ekzekutuar 14 pagesa të dëmshme për bankën, pas marrëveshjes paraprake me pronarin e kompanisë “Stones”, Fitim Gashin. Sipas pretendimit të prokurorisë, Arifi i ka shkaktuar dëm BPB-së në shumën prej 40 mijë e 933 euro. Bazuar në aktakuzën e prokurorisë, me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë