POLICIA NUK E SJELLË TË AKUZUARIN NË GJYKATË, SHTYHET SEANCA

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – Seanca e paraparë të mbahet kundër të akuzuarve Avni Bajrami, Mexhid Krasniqi dhe Salih Dakaj, të akuzuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit, u shty për shkak se policia nuk e kishte sjellë të akuzuarin Mexhid Krasniqin në gjykatë, edhe pse gjykata kishte lëshuar urdhër arrest për të.

Kryetarja e trupit gjykues Nora Bllaca-Dula tha se policia nuk i kishte njoftuar për mos sjelljen e të akuzuarit në gjykatë. “Nuk e di pse policia nuk e ka sjellë të akuzuarin për të cilin kemi lëshuar urdhër arrest. Ne do të bëjmë përpjekje që të marrim përgjigje nga ta. Për këtë arsye kjo seancë duhet të shtyhet”, tha gjyqtarja Bllaca-Dula.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Avni Bajrami në cilësinë e personit zyrtar Inspektor Komunal në Komunën e Lipjanit, ka marr ryshfet 350 euro nga të pandehurit Mexhid Krasniqi dhe Salih Dakaj, bashkëpronarë të ndërmarrjes NPN ”Çlirimi”, duke mos ndërmarrë asnjë veprim zyrtar për t’i penguar kamionët e kësaj ndërmarrje, për ta hedhur dheun në lokacionin-pronë private në afërsi të Kompanisë “Kosova Asfalti” në Lipjan.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 10 tetor 2016, në ora 13:00.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë