Policia nuk e sjell të akuzuarin, dështon seanca fillestare për shmangie nga tatimi

Ferizaj
Author

Raporton: Arbenita IMERI

Shtator 10, 2019

Ferizaj – Ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj Basri Hasanit, i akuzuar për veprën penale “shmangie nga tatimi”.

Shkak i dështimit të seancës e paraparë të mbahej të martën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka qenë mungesa e të pandehurit Hasani, raporton Betimi për Drejtësi.

Gjyqtari i çështjes Adem Shabani, deklaroi se ndaj të akuzuarit është lëshuar urdhëresë për sjellje të detyrueshme, mirëpo ai në këtë seancë nuk është sjellë nga ana e Policisë së Kosovës.

Gjykatësi Shabani, tha se kjo seancë do të shtyhet në afat të pacaktuar derisa të merret njoftim nga policia se pse nuk është sjellë i akuzuari Hasani.

Në seancë, po ashtu, nuk prezantoi as përfaqësuesi i të dëmtuarës, Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), njësia në Ferizaj.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri Basri Hasani, akuzohet se në periudhën kohore tetor 2011 – dhjetor 2013, si pronar i subjektit N.SH.T “Euro Flot”, në fshatin Greme të Ferizajt, me qëllim t’i shmanget pjes­ërisht pagesës së tatimit, i akuzuari nuk ka bërë deklarimin e TVSH-së edhe pse ka qenë deklarues i TVSH-së.

Gjithnj­ë sipas aktakuzës, i pandehuri nuk ka deklaruar tatimin në të ardhura individuale si dhe tatimin e mbajtur në burim dhe kontributet personale për këtë periudhë kohore, me të cilin rast ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë prej 26.001,64 euro.

Andaj, me këtë thuhet se Basri Hasani, ka kryer veprën penale “Shmangja nga tatimi” neni 249 par 2 lidhur me par 1 të KPK-së. /BetimipërDrejtësi