Policia identifikon të dyshuarën për vjedhjen e 30 mijë eurove, viktimës i kthehet një pjesë e parave

Raporton: “Betimi për Drejtësi

Prizren- Policia e Kosovës (PK) njofton se është identifikuar e dyshuara për vjedhjen e 30 mijë eurove në shtëpinë e një personi në Prizren.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga policia, ku thuhet se më 13 shtator 2022, në Stacionin Policor Prizren ishte raportuar për një vjedhje të rëndë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Viktima e rastit që gjendet me banim të përkohshëm jashtë shtetit, ka raportuar se persona të panjohur ia kanë vjedhur 30000 (tridhjetë mijë ) euro nga shtëpia e tij në Prizren”, thuhet në njoftim.

Policia njofton se pas një punë të mirë hetimore, hetuesit e Stacionit Policor Prizren, kanë arritur që të identifikojnë të dyshuarën dhe t’i gjejnë 14 mijë euro fillimisht.

“Policët hetues kanë vazhduar hetimet në ditët në vazhdim dhe me datë 22.09.2022 kanë arrit që ti gjejnë edhe 9400 euro (nëntëmijë e katërqind)”, thuhet tutje.

Bëhet e ditur se pas intervistimit të së dyshuarës, me urdhër të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë