Policia identifikon dhe shpall në kërkim edhe pesë të dyshuar për kontrabandë me mallra pas aksionit të sotëm

Raporton: Nuraje BLLACA

Prishtinë- Policia e Kosovës (PK) pas identifikimit të mëhershëm të pesë personave të dyshuar, tani ka identifikuar edhe pesë të dyshuar të tjerë, duke bërë që numri i personave të dyshuar e të shpallur në kërkim për dyshimin se janë përfshirë në aktivitete kriminale të kontrabandës me mallra të arrijë në dhjetë.

Përmes një komunikate për medie, policia njofton se pesë të dyshuarit e tjerë, të shpallur në kërkim janë: Ilija Vicentijevic, Vehbi Hyseni, Muhamet Hyseni, Muhamet Vallqi dhe Agron Novaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Numrat kontaktues: 192, 038 550 999 ose pa pagesë në 0800 19999, të gjitha informacionet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale”, njofton policia.

Policia po vazhdon hetimet intensive për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me mallra por edhe në aktet kriminale dhe sulmet me mjete të rrezikshme, armë zjarri të kryera ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë sot gjatë operacionit.

Ndryshe, më herët, policia kishte identifikuar edhe pesë persona të tjerë të dyshuar për kontrabandë me mallra, e ata janë Besim Zeqiri, Halil Sylejmani, Festim Sylejmani, Fikrim Latifi dhe Milan Radisavljevic. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë