Policia has në takim të 23 anëtarëve të Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, intervistohet kryetari i saj

Policia_e_Kosoves
Author

Raporton: Medina KADRIU

Prill 1, 2020
Prishtinë – Në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, të martën, është raportuar se njësiti policor ka hasur në një grup prej 23 personash.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, këta persona ishin pjesë e Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, të cilët ishin mbledhur për të shprehur disa pakënaqësi të tyre.

Lidhur me këtë, thuhet se kryetari i kësaj shoqate është intervistuar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është lëshuar në procedurë të rregullt.

Kurse, është raportuar se kanë ndodhur edhe 3 arrestime, për moszbatim të masave të Qeverisë së Kosovës, për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.

Në raportin e policisë thuhet se, një person është arrestuar në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë, ndërsa dy të tjerë në rrugën “Fahri Fazliu”.

Tre të arrestuarit, pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë liruar dhe rastet kanë shkuar në procedurë të rregullt. /BetimipërDrejtësi