Policia e Kosovës paralajmëron ankesë ndaj aprovimit të padisë për kthim në vendin e punës të ish-shefit të Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti

833D4ED1-3875-42E1-A001-3A263B73FD7F_w1023_r1_s
Author

Raporton: Gzim SHALA

Prill 11, 2019

Prishtinë – Policia e Kosovës ka paralajmëruar se do të ushtrojë ankesë ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ka aprovuar kërkesën e ish-shefit të Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti, i cili përmes padisë së ushtruar më 7 dhjetor 2018, kishte kërkuar nga gjykata anulimin e vendimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita kjo pozitë.

Ndaj këtij aktgjykimi, Policia e Kosovës ka paralajmëruar se do të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Kjo është konfirmuar në një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi” nga Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës do të ushtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit konform procedurave”, thuhet shkurt në përgjigjen me shkrim të Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun të Policisë së Kosovës.

Ndryshe, njoftimin për aprovimin e kërkesëpadisë së paditësit Sahiti nga gjykatësi Lekë Prenaj, e ka dhënë për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se Gjykata ka caktuar dhe përfunduar shqyrtimin gjyqësor, të cilin shqyrtim e kanë ndjekur edhe monitoruesit e IKD-së, ndërsa lidhur me vendimin e marrë ju informojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Divizioni për Çështje Civile ka marr aktgjykim me të cilin e ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësit N.S”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Gashi.

Lidhur me këtë rast ishte mbajtur seanca përgatitore më 6 mars 2019, ku paditësi Sahiti, përmes përfaqësuesit të tij, avokatit Besnik Berisha kishte thënë se shkarkimi i tij nga kjo pozitë është bërë për motive personale dhe me qëllim të avancimit të personave të tjerë.

“Është vendim i padrejtë, arbitrar, i motivuar për gjithçka tjetër, por jo për nevojat operacionale të institucionit të Policisë, se vet arsyetimi i dhënë nga i padituri është në shkelje të udhëzimit administrativ në të cilin mbështetet vendimi, dhe në veçanti do të provohet se është diskriminues edhe për nga lartësia e pagës, kualifikimi profesional dhe përvoja profesionale e paditësit”, kishte thënë avokati Berisha.

Ndërsa, bazën juridike të padisë e kishte kundërshtuar përfaqësuesja e të paditurës, Nexhmije Karaqi, e cila kishte thënë se vendimi i të paditurës është marr në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Duke kërkuar nga gjykata që padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit ta refuzojë në tërësi si të pabazuar në ligj, si dhe ta lë në fuqi vendimin për shkarkimin e Sahitit.

Kurse, pas rreth katër muajsh që nga ushtrimi i padisë, në seancën e mbajtur më 25 mars 2019, kishte përfunduar gjykimi në këtë rast.

E në fjalën e tij përfundimtare, përfaqësuesi i paditësit, avokati Besnik Berisha, kishte thënë se vendimi me të cilin paditësi ishte shkarkuar nga pozita që mbante, është i padrejtë, arbitrar dhe nuk reflekton interesat e Policisë së Kosovës.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 7 dhjetor 2018, paditësi Nazim Sahiti, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që ta anulojë vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës.

Sipas padisë, paditësi në vitin 2017, fillimisht ishte emëruar ushtrues i detyrës në pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, e disa muaj më vonë ishte graduar edhe me gradën Major, ndërsa në maj të vitit 2018, ishte emëruar në pozitën e drejtori i Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Por, sipas pretendimeve në padi, përkundër vlerësimit pozitiv të përformancës dhe arritjes së objektivave të punës si drejtor, paditësi pa pëlqimin e tij, u shkarkua nga pozita e drejtorit me vendimin e 17 tetorit 2018.

Sipas padisë, i pakënaqur me këtë vendim, paditësi kishte ushtruar ankesë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, në Komisionin për Ankesa, por që sipas padisë, Komisioni për Ankesa kishte marr një vendim në të cilin nuk kishte adresuar fare pretendimet e ngritura në ankesë.

Andaj, paditësi i bindur se vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë është i padrejtë, i kundërligjshëm dhe i bërë për motive të hakmarrjes personale, kishte kërkuar nga Gjykata anulimin e vendimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, dhe të obligohet e paditura që paditësin ta kthejë në pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit si dhe t’i bëjë kompensimin e diferencës së pagës. /Betimipërdrejtësi