Policia e Kosovës arreston një person nën dyshimin për fajde

policia_kosoves_299031
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Maj 21, 2020

Prishtinë – Policia e Kosovës, të enjten, ka arrestuar të dyshuarin më iniciale B.A, nën dyshimin se fillimisht i kishte dhënë para viktimës në vlerë prej 55 mijë euro, pastaj i kishte kërkuar në formë të interesit edhe 40 mijë euro tjera.

Për arrestimin e tillë ka njoftuar Policia e Kosovës përmes komunikatës për media.

Sipas Policisë së Kosovës, hetuesit policorë të Njësisë Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NjHRKEK) në Gjilan, pas pranimit të një informate muaj më parë, kanë filluar sigurimin e provave materiale dhe dëshmive tjera relevante, duke përdorur edhe masat e fshehta teknike dhe të hetimit, nga çka thuhet se është arritur të sigurohen dëshmi se i dyshuari B.A. ishte përfshirë në veprën penale ‘fajde’, raporton “Betimi për Drejtësi”

Sipas Policisë së Kosovës, dyshohet se një person kishte marrë nga i dyshuari një shumë prej 55,000.00 euro. Ai kishte arritur t’ia kthente 58,000.00 euro të dyshuarit, ndërsa i dyshuari në formë të interesit-kamatës ka kërkuar nga viktima edhe 40,000.00 euro të tjera, që do të thotë se fitimi jo-proporcional është në vlerë prej 43,000.00 euro.

“Me urdhëresës së Gjykatës Themelore-Gjilan, janë zbatuar masat e fshehta dhe teknike ‘simulimi i veprës penale’, ku i dyshuari nga viktima ka pranuar edhe 5,000.00 (pesë mijë) euro.

I dyshuari, pas pranimit të parave bazuar në simulimin e veprës penale, është ndaluar nga hetuesit policor të NJHRKEK-Gjilan, tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar paratë që janë përdorur për simulim të veprës penale (5,000.00 euro)”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se personi i dyshuar është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës (caktuar sipas detyrës zyrtare) dhe pas përfundimit të intervistës me aktvendim të prokurorit të lëndës, i njëjti është ndaluar për 48 orë. /BetimipërDrejtësi