Policia e Kosovës arreston një person nën dyshimin për fajde

Arrestim (4)
Author

Raporton: Valentina SHAHINI–GRAJҪEVCI

Korrik 30, 2020

Prishtinë –  Policia e Kosovës, të mërkurën, ka arrestuar një person, nën dyshimin se fillimisht i kishte dhënë para viktimës në vlerë prej 100,000.00 euro, pastaj i kishte kërkuar në formë të interesit edhe 30,000.00 euro të tjera.

Për arrestimin e tillë ka njoftuar Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Policisë së Kosovës, hetuesit policorë të Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan, për një periudhë disa mujore që nga momenti i denoncimit të rastit, në kuadër të sigurimit të provave materiale dhe dëshmive tjera relevante, pas një pune operative/taktike dhe hetimore, kanë arritur të pasqyrojnë gjendjen faktike se një person i dyshuar ishte përfshirë në veprën penale të fajdes.

“Për vlerën e parave të cilat viktima i kishte pranuar nga i dyshuari, në vlerë prej 100,000.00 euro, sipas marrëveshjes të dyshuarit do t’i ktheheshin mjetet financiare në vlerë prej 130,000.00 euro, apo 30% me interes/kamatë, në intervalin kohor prej dy vitesh, ku shuma e fitimit jo-proporcional është 30,000.00 euro”, thuhet në njoftim.

“Me Urdhëresës së Gjykatës kompetente, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit, gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e dyshuar”, thuhet tutje në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Bëhet e ditur se, i dyshuari është shoqëruar në polici, është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës (i caktuar personalisht nga i dyshuari) dhe pas përfundimit të intervistës me aktvendim të prokurorit të lëndës është ndaluar në Qendrën e Ndalimit në afat prej 48 orësh. /BetimipërDrejtësi