Policia arreston tre persona në Komunën e Gjilanit, dy për kanosje e një për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit

27_11_2019_3329693_Prokuroria_Themelore_Gjilan
Author

Raporton: Teuta GASHI

Prill 1, 2020

Gjilan – Në lagjen “Arbëria” në Gjilan, të martën, janë arrestuar dy persona të dyshuar për kanosje të një personi tjetër.

Një gjë e tillë u bë e ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Sipas policisë, pas intervistimit, të njëjtit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Në anën tjetër, në fshatin Velekincë të Komunës së Gjilanit është arrestuar një person tjetër, nën dyshimet se në llogarinë e tij personale të rrjetit social, ka publikuar një shkrim me anë të së cilit dyshohet se ka përçuar tek të tjerët mesazh nxitës dhe përçarës.

“Të publikuarit e shkrimit përmes të cilit ofrohen mesazhe nxitëse, përçarëse dhe ndjesi mosdurimi tek të tjerët ka ardhur si shenjë revolte e personit të dyshuar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Me vendim të prokurorit, edhe i arrestuari i tretë është dërguar në mbajtje. /BetimipërDrejtësi