Polici pranon se kishte transportuar drogë nga Shqipëria në Kosovë, për të akuzuarit e tjerë vazhdon gjykimi

Rasti i Bunjamir Jahes etj 06.11.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Nëntor 6, 2019

 


Prishtinë – Zyrtari policor, Bunjamir Jaha, e ka pranuar fajësinë se kishte poseduar dhe shpërndarë substanca narkotike nga Shqipëria për në Kosovë.

Pranimin e fajësisë, polici Jaha, e ka bërë në seancën e së mërkurës në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast përveç tij, akuzohen edhe Shpejtim, Flamur dhe Pajtim Hamiti, Bashkim Braha, Shkëlqim Ilazi, Shkumbin Berisha, Ardonit Mustafa dhe Arburim Ahmeti, të cilët sipas aktakuzës, nga 16 maji deri më 7 tetor 2018, kishin transportuar dhe shitur substanca narkotike të llojit kokainë dhe kanabis.

Mbrojtësi i të akuzuarit Jaha, avokati Burhan Qosa tha se i propozon gjykatës që nëse të akuzuarit e tjerë nuk e pranojnë fajësinë, procedura ndaj klientit të tij të veçohet, në mënyrë që të procedohet me shpejt me rastin.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), Atdhe Dema, tha se pranimi i fajësisë nga i akuzuari Jaha duket se është bërë sipas dispozitave ligjore.

Pas kësaj, gjykatësi Arben Hoti mori aktvendim me të cilin aprovoi pranimin e fajësisë për të akuzuarin Jaha.

Më pas, i akuzuar Shpejtim Hamiti, tha se pranon fajësinë për pikën një të aktakuzës që e ngarkon atë me posedim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, ndërsa tha se për pikën katër të aktakuzës ku akuzohet për shpëlarje të parasë, tha se nuk e pranon fajësinë.

Lidhur me pranimin e fajësisë për pikën e parë të aktakuzës, gjykata mori aktvendim me të cilin aprovoi këtë pranim të fajësisë.

Fajtor për veprën penale të blerjes, posedimit dhe shitjes së narkotikëve dhe substancave tjera analoge, u deklarua edhe i akuzuari Pajtim Hamiti, i cili tha se është i penduar dhe se nuk do të përsërisë më veprën penale për të cilën akuzohet.

Pjesërisht fajësinë e pranoi i akuzuari tjetër Bashkim Braha, i cili tha se e pranon fajësinë për armëmbajtje pa leje dhe për shitje dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve, mirëpo jo edhe për veprën penale “shpëlarje të parasë”.

Kurse, të akuzuarit Flamur Hamiti, Shkelqim Ilazi, Arburim Ahmeti, Shkumbin Berisha dhe Ardonit Mustafa nuk pranuan fajësinë për veprat penale për të cilat ngarkohen.

Ahmeti akuzohet se kishte fshehur narkotikun në figurat e shahut, me qëllim që së bashku me tabelën e shahut t’ia dërgojë njërit të burgosur në Dubravë.

Në fund, pasi që dy të akuzuarit Jaha dhe Hamiti, pranuan fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkoheshin, gjykata ka marrë vendim që të veçojë procedurën, e që aktgjykimi ndaj tyre do të shpallet më 11 nëntor 2019, në orën 09:00, pasi që gjykata të shikojë edhe të kaluarën kriminale të këtyre të akuzuarve.

Ndërsa, për të akuzuarit që pranuan fajësinë pjesërisht dhe ata që nuk pranuan fajësinë, gjykimi do të vazhdojë më 6 dhjetor 2019, në orën 09:00.

Sipas gjykatësit Hoti, të njëjtit kanë kohë që brenda 30 ditësh të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me aktakuzën.

Gjykata, po ashtu refuzoi kërkesat e pesë mbrojtësve të të akuzuarve të parë që të njëjtëve t’iu ndryshohet masa e paraburgimit.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, më 31 maj 2019, të akuzuarit Bunjamir Jaha, Shpejtim Hamiti, Flamur dhe Pajtim Hamiti, si dhe Bashkim Braha dhe Shkëlqim Ilazi nga 16 maji e deri me 7 tetor 2018, në Ferizaj, Kaçanik dhe fshatrat të këtyre komunave kishin transportuar dhe shitur substanca narkotike të llojit kokainë dhe kanabis.

Këta të akuzuar, sipas PSRK-së, sipas marrëveshjes paraprake duke i ndarë rolet ishin furnizuar nga Republika e Shqipërisë, pasi i akuzuari Bunjamir Jaha ishte ndaluar për kontroll në “Vërmicë”, dhe i është gjetur në automjetin e tij “Audi A4”, kokainë në sasi 549,44+0.0001 gram.

Ndërsa, në banesën në Ferizaj, të cilën të akuzuarit e kishin marrë me qira nga i akuzuari Shpejtim Hamiti, në të cilën e kishin shfrytëzuar për të ushtruar veprimtari kriminale, policia kishin sekuestruar kokainë në sasi prej 2+0.0001 gramë, si dhe substanca-preparati kanabis (marihuanë), në sasi 5.54+0.0001 gramë si dhe peshore dhe aksesorë tjerë të cilat iu kishin shërbyer për matjen, renditjen ndarjen dhe sistemimin e këtyre narkotikëve.

Për këto veprime, PSRK të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

I akuzuari Bashkim Braha, po akuzohet se nga data e pacaktuar e deri me 7 tetor 2018, në shtëpinë e tij në fshatin “Stogovë” në Komunën e Kaçanikut, në mënyrë të paautorizuar kishte mbajtur në posedim armën “Zastava M-57”, e kalibrit 7.62 mm. Me një karikatorë dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62, një revole e kalibrit 6.32 mm me një karikatorë dhe 4 fishekë, 41 fishekë të kalibrit 7x64mm si dhe 6 fishekë të pushkës së gjuetisë të kalibrit 12mm.

PSRK të akuzuarin Braha po e ngarkon me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I akuzuari Arburim Ahmeti po akuzohet se me 29 shtator 2018, në shtëpinë e tij në fshatin “Greme”, në Ferizaj, kishte pranuar nga i akuzuari Shpejtim Hamiti narkotikë në peshë 7.6 gram, të cilën e kishte vendosur në figurat e shahut, me qëllim që së bashku me tabelën e shahut ta dërgojë në qendrën korrektuese në Dubravë, tek Meriton Aliu i cili kishte qenë në vuajtje të dënimit.

Në aktakuzë thuhet se kjo sasi e fshehur në figura së bashku me tabelën e shahut, ishin sekuestruar në banesën e të akuzuarit Shpejtim Hamiti, ku pas ekzaminimit kishte rezultuar 5.54+0.0001 gramë substancë/preparat narkotik kanabis (marihuanë).

Edhe të akuzuarin Arburim Ahmeti, PSRK po e ngarkon me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas PSRK-së, i akuzuari Shpejtim Hamiti nga 18 tetor 2016, e deri me 29 qershor 2018, kishte bartur te xhirollogaria e të akuzuarit Ardonit Mustafa, 36,875.00 euro, për të cilat të ardhura nuk kishte prova se ishin nga një aktivitet i rregullt ekonomik.

Ai në marrëveshje me të akuzuarin Shkumbin Berisha kishte bartur të xhirollogaria e tij në Bankën Ekonomike 7,000 euro, për të cilat nuk kishte pasur prova të fitimit në mënyrë ligjore, pasuri e fituar nëpërmjet veprimtarisë së kundërligjshme të trafikimit me narkotikë dhe shndërrimin e një pjese të të ardhurave në automjete.

Kështu, sipas PSRK-së i akuzuari Shpejtim Hamiti përmes të akuzuarve të tjerë kishte përdorur të ardhurat nga aktivitete e dyshuara, ku nga veprimtaria e trafikimit të narkotikëve kishte përfituar 75.500 euro, si dhe kishte përfituar edhe dy BMË, ku njëra veturë ishte qenë e regjistruar në emër të të akuzuarit Shkumbin Berisha.

Sipas PSRK-së, i akuzuari Shkumbin Berisha kishte pranuar 7.000 euro nga i akuzuari Shpejtim Hamiti, para të cilat dyshohen se ishin fituar nga veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me narkotikë të të akuzuarit Shpejtim Hamiti, automjetin BMË me vit prodhimi 2008 e kishte doganuar dhe regjistruar në emër të tij.

Shumën prej 36,875.00 euro nga i akuzuari Shpejtim Hamiti, sipas PSRK-së, e kishte pranuar edhe i akuzuari Ardonit Mustafa.

I akuzuari Bashkim Braha sipas aktakuzës, nga 12 shtatori 2016, kishte në pronësi automjetin “IMT 539”, me vit të prodhimit 2009, si dhe nga 12 shtatori 2017 kishte në përdorim automjetin “Audi A4”, vit i prodhimit 2008, e regjistruar në emër të motrës së tij, ku sipas prokurorisë kishte prova se të njëjtat ishin blerë nga veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me narkotikë.

PSRK, të akuzuarit Shpejtim Hamiti, Shkumbin Berisha, Ardonit Mustafa dhe Bashkim Braha po i ngarkon me veprën penale “shpëlarje e parasë”. /BetimipërDrejtësi