Polici i hetuesisë mohon t’i ketë marrë 5000 euro ryshfet, për të liruar personin që vet e hetoi

Raporton: Bukurezw SURDULLI

Prishtinë – Polici i akuzuar për keqpërdorim detyre, pretendon se 5000 euro në emër të mitos, ju m’ veshën atij dhe nga kjo nuk ka asgjë të vërtetë. Imri Bajrami, ish polici i hetimeve rajonale në Prishtinë, paraqiti mbrojtjen e tij në seancën e sotme para trupit gjykues. Gjatë mbrojtjes ai foli për suspendimin e tij nga puna që i kishte ndodhur në vitin 2009. Ky suspendim erdhi si pasojë e dyshimeve që ky i akuzuar ka pranuar një telefon dhuratë dhe 5000 euro ryshfet nga një person i burgosur dhe të afërmit e tij, të cilin Bajrami po e transportonte nga gjykata në burgun e Prizrenit. Në fakt, i burgosuri që po e transportonte Imri Bajrami, ishte një ndër personat që ishte hetuar nga vet Bajrami. Bëhet fjalë për Ismajl Zhitinë, për të cilin Imri Bajrami kishte ngritur një kallëzim penal për veprën penale vrasje në tentativë.

“Ki me ma pa sherrin” ishin fjalët që Imri Bajrami tha se Ismajl Zhitia ja kishte shqiptuar në momentin kur ky kishte ngritur kallëzimin penal ndaj tij. E sipas tani të akuzuarit Bajrami, pikërisht kjo ndodhi. Imri Bajrami tha që pas ngritjes së këtij kallëzimi penal kur e kishte transportuar të burgosurin Ismajl Zhitinë nga Gjykata në Burgun e Prizrenit ishin ndalur në Duhël në një restoran për shkak se Ismajl Zhitia kishte nevoja fiziologjike. Në  këtë rast sipas të akuzuarit, kishin marrë edhe nga një hamburger të cilat i kishte paguar vet polici. Kjo ishte e vërteta bazuar në mbrojtjen e të akuzuarit.

Mirëpo, pas kësaj, të burgosurin Ismajl Zhitinë, në burg e kishte vizituar miku i tij tani i ndjerë, Beqir Kastrati. Sipas të akuzuarit Kastrati u udhëzua nga Zhitia që të raportoj kinse Imri Bajrami sa ishte në Duhël bashkë me Zhitinë, kishte pranuar si ryshfet një telefon nokia dhe e kishte lënë të burgosurin t’i paguaj hamburgerat. Dhe kështu Beqir Kastrati e kishte raportuar këtë rast, ku si pasojë tani i akuzuari Imri Bajrami u suspendua nga puna. Lidhur me telefonin i cili mungonte ndër gjërat personale të të burgosurit, Bajrami tha se i burgosuri ja kishte dhënë atë telefon vëllait të tij në kohën sa ishte në gjykatë para nisjes për në Burgun e Prizrenit. Por këtë shkelje ai asnjëherë nuk e kishte raportuar me arsyetimin se Ismajli ju kishte dhimbsur për shkak se ishte i moshuar dhe i sëmurë.

Më tej, ai foli për 5000 eurot të cilat Beqir Kastrati kishte raportuar se ja ka dhënë si ryshfet për t’i ndihmuar që ta nxjerrë nga burgu mikun e tij Ismajl Zhitinë, mirëpo sipas dëshmisë së tij në prokurori, Imri Bajrami nuk ja kishte kryer punën dhe ai vendosi që ta raportonte rastin. Por, ish polici mohoj ta ketë bërë një gjë të tillë. “Jam takuar dy herë me Beqirin. Një herë në hotel Kalaja dhe një herë më erdhi në shtëpi e shkuam të pijmë kafe në ëmbëltoren Sulltan. Herën e parë ai më luti t’i ndihmoj Ismajl Zhitisë dhe unë i thash që nuk mundem, vetëm këqyr gjejani një avokat të mirë, e herën e dytë Beqiri vetëm qante dhe më kërkonte falje” u shpreh Imri Bajrami para Gjykatës Themelore në Prishtinë. Ai tha se Beqir Kastrati i kërkonte falje për shkak se ndihej keq që kishte raportuar rrejshëm lidhur me ryshfetin dhe pranoj se këtë rast asnjëherë nuk e ka paraqitur në polici.

Pretendimet për deklarata të rrejshme të dëshmitarëve Beqir Kastrati e Artan Zhitisë, i akuzuari i mbështeti duke thënë se këta dy dëshmitarë kanë gënjyer sepse njëherë kanë thënë që 5000 euro ja ka marrë Artan Zhitisë, djalit të Ismajl Zhitisë, dhe pastaj kanë thënë që këto para ja ka dhënë Beqir Kastratit. “Herë kanë thanë 3000, herë 5000. Herë kanë thanë Artani, herë Beqa.Unë nuk i kam marrë 5000 euro. Nuk e di ende pse ma kanë ba k’ta” tha i akuzuari.

Gjatë kësaj seance u lexua poashtu deklarata e Beqir Kastratit e dhënë në prokurori pasi që pas ndërrimit të jetës ai nuk e pati mundësitë të dëshmoj në gjykatë asnjhërë. Në këtë deklaratë ky dëshmitar i propozuar nga prokuroria tregonte që ja ka dhënë 5000 euro Imri Bajramit për lirimin e Ismajlit nga burgu, por që ai nuk u lirua.

Leximi i kësaj deklarate u kundërshtua nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Naser Sopjani, mirëpo kundërshtimi i tij u refuzua nga ana e trupit gjykues.

Në këtë seancë ishte e paraparë që të dëgjohet edhe dëshmitari Agron Zhitia, djali i Ismajlt Zhitisë, por sipas njoftimit të policisë ai gjendet qe dy vite në Angli. Për shkak të pamundësisë për të siguruar prezencën e tij, gjykata vendosi që të heqë dorë nga dëgjimi i tij në gjykatë edhe pse me këtë nuk u pajtua prokurorja e çështjes, Dulina Hamiti.

Po ashtu, sipas propozimit të gjykatës, në seancën e radhës e cila pritet të mbahet më 22 nëntor, do të ftohet Ismajl Zhitia të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit.

Ky proces gjyqësor zhvillohet sipas aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria Publike Komunale në Prishtinë më 30 qershor 2010. Sipas aktakuzës, Imri Bajrami akuzohet për veprën penale “Shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit”, ndërsa në të njëjtin akt akuzues ishte edhe Artan Zhitia, për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, por ndaj tij është hudhur aktakuza për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit të ndjekjes penale.

Sipas pretendimit të prokurorisë, i akuzuari Imri Bajrami si polic hetues më 13 janar 2009, në një kafene në Prishtinë kishte marrë ryshfet 5000 euro nga tani i ndjeri Beqir Kastrati. Ky i fundit, këto para i kishte marrë nga Artan Zhitia, i cili e kishte mik tani të ndjerin Beqir Kastrati. Arsye pse ishte bërë ky pazar, sipas prokurorisë, ishte për tu liruar nga burgu babai i Artanit – Ismajl Zhitia, i cili po vuante një dënim me burgim.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë