Polici dhe dy të tjerët kërkojnë të lirohen nga akuzat për korrupsion e fajde, prokuroria kërkon dënime më të ashpra

Lavdim Bajraktari - Rasti Xhelal Hoxha etj. - 10.10.2019
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Tetor 10, 2019

Prishtinë – Lirimin nga akuzat apo kthimin sërish në rigjykim të rastit, po kërkojnë nga Gjykata e Apelit, të akuzuarit për fajde, Xhelal dhe Nuhi Hoxha, si dhe polici i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Hamdi Jashari.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Prishtinë, nga shkalla e dytë po kërkon që ndaj këtyre të akuzuarve të shqiptohen dënime më të ashpra, si dhe shpalljen fajtor për ndihmë në fajde edhe të policit Jashari, i cili ishte liruar nga shkalla e parë për një akuzë të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, në këtë rast i akuzuar ka qenë edhe Flamur Hoxha, i cili nuk ka paraqitur ankesë ndaj aktgjykimit, por që ka kërkuar nga Apeli që të refuzohet ankesa e prokurorisë.

Këto ankesa të palëve, si dhe deklarimi i Prokurorisë së Apelit lidhur me to, janë shqyrtuar të enjten nga një kolegj i Gjykatës së Apelit, në përbërje nga gjykatësit, Tonka Berishaj, Hava Haliti dhe Burim Ademi.

Lidhur me këtë rast, Gjykata e Apelit kishte vendosur në shkurt të vitit 2018, kur e kishte kthyer rastin në rigjykim dhe e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, e cila edhe aso kohe, i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit.

Pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 24 maj 2019, kishte shpallur sërish aktgjykim dënues ndaj Xhelal, Nuhi dhe Falmur Hoxhës, për veprën penale të fajdesë, si dhe ndaj policit Hamdi Jashari për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Xhelal Hoxha ishte dënuar me tre vjet burgim dhe dymijë euro gjobë për veprën penale të fajdesë, të kryer në vazhdimësi.

Nuhi Hoxha ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht që nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër penale brenda një viti. Hoxha ishte obliguar të paguajë edhe 500 euro gjobë, kurse, i akuzuari Flamur Hoxha, për fajde ishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohet nëse ai prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Ndërsa, polici Jashari, për keqpërdorim të pozitës zyrtare ishte dënuar me shtatë muaj burgim me kusht, kurse për ndihmë në fajde ishte shpallur i pafajshëm.

Gjykata kishte vendosur që të akuzuarit Nuhi Hoxha t’i kthehen automjetet e konfiskuara.

Por, e pakënaqur me lirimin nga akuzat për ndihmë në fajde të Jasharit dhe për lartësinë e dënimeve të shqiptuar nga shkalla e parë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sipas kësaj ankese, e cila u referua nga gjykatësja raportuese për këtë rast, Hava Haliti, prokuroria po kërkon që i akuzuari Jashari përveç veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, të shpallet fajtor edhe për ndihmë në fajde dhe për këtë vepër të dënohet sipas ligjit.

Po ashtu, organi i akuzës i ka propozuar shkallës së dytë që ndaj të akuzuarve të shqipton dënime më të ashpra, me të cilat dënime, sipas prokurorisë do të arrihet qëllimi i dënimit.

E këtë ankesë të Prokurorisë Themelore e ka përkrahur përmes një parashtrese drejtuar gjykatës së shkallës së dytë edhe Prokuroria e Apelit, e cila ka propozuar po ashtu që të refuzohen ankesat e mbrojtësve së të akuzuarve të ushtruara në Apel.

Aktgjykim kundërthënës dhe të marrë me shkelje e ka cilësuar vendimin e Themelores, mbrojtësi i Xhelal Hoxhës, avokati Fanol Krasniqi.

Ky i fundit, tha se shkalla e parë ka dështuar tu përmbahet udhëzimeve që Gjykata e Apelit ia kishte dhënë Themelores kur e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Krasniqi citoi edhe disa deklarata të dëshmitarëve, ku sipas tij, dëshmitari Arben Gjibixhiu kishte thënë se të akuzuarit Xhelal ia kishte dhënë 1600 euro dhe dy vetura, një “Opel” të vitit 2001 dhe një “Audi” të vitit 2003, e jo 16 mijë euro, si dhe dëshmitari tjetër, Gazmend Mikullovci, i cili sipas Krasniqit, kishte deklaruar se nuk kishte marr para nga i akuzuari Xhelal, por kishte thënë se ka marr një veturë “Opel Meriva”, të cilën nuk kishte arritur t’ia paguajë.

“Të gjithë të dëmtuarit kanë treguar në gjykim se nuk e ndien vetën të dëmtuar nga Xhelali”, tha Krasniqi në fjalën e tij.

Sipas avokatit, nuk ka dyshim që në bisedat telefonike së të mbrojturit të tij janë përmendur borxhet por asnjëherë nuk është bërë fjalë për fajde dhe bisedat e tilla nuk e inkriminojnë klientin e tij.

Se nuk ka dhënë para me kamatë i mbrojturi i tij, Nuhi Hoxha, e ka thënë në ankesën e tij edhe mbrojtësi Ramiz Krasniqit, i cili nuk prezantoi në seancën e së enjtes në Apel.

Sipas ankesës së këtij të fundit, aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, ndërsa edhe dënimi i shqiptuar, sipas tij,  është i paarsyetuar.

Për këto arsye, Krasniqi ka propozuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuzat apo rasti të kthehet në rigjykim.

“E mbështes ankesën e avokatit”, ishte deklarimi i shkurtë i të akuzuarit Nuhi Hoxha.

E lirimin nga akuzat për të mbrojturin e tij, Hamdi Jashari, e kërkoi edhe mbrojtësi i tij, avokati Asdren Hoxha.

Hoxha tha se krejt çka ka bërë klienti i tij, është se e ka përcjell një lutje të një mikut të tij, Mehmet Rizah Ibishit, për të akuzuarin Xhelal, që ky i fundit të pres mikun e të akuzuarit Jashari për një borxh që ia kishte pasur të akuzuarit Xhelal.

Këtë gjë, Hoxha tha se i mbrojturi i tij nuk e kishte bërë në cilësinë e zyrtarit policor, por vetëm si mik, andaj nuk mund të thuhet se Jashari ka vepruar si person zyrtar në këtë rast

“Nuk dihet cilin autorizim e paska shkel Hamdiu, dënimi është i padrejtë pasi i mbrojturi i im është i pafajshëm”, tha Hoxha në fjalën e tij.

Ndryshe, në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 nëntor 2017, Xhelal Hoxhën e kishte dënuar për veprën penale në vazhdimësi “fajde” dhe për këtë i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër vite si dhe dënim me gjobë prej 1000 euro.

Nuhi Hoxha, ishte shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale “fajde” dhe ishte dënuar me gjashtë muaj burgim dhe 500 euro gjobë.

Për veprën penale të fajdesë ishte dënuar me tetë muaj burgim dhe 500 euro gjobë edhe Flamur Hoxha, kurse polici Hamdi Jashari, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale të fajdesë, ishte dënuar me dënim unik prej një viti burgim dhe 500 euro gjobë.

Të pakënaqur me këtë aktgjykim të gjykatës së shkallës së parë, të gjithë të dënuarit përmes mbrojtësve të tyre ishin ankuar në Gjykatën e Apelit duke kërkuar nga kjo e fundit që t’i lirojë nga akuza apo që çështja të kthehet në rigjykim.

Ankesat e të akuzuarve ishin shqyrtuar në Apel në seancën e 15 shkurtit të vitit 2019.

Sipas vlerësimit të Apelit, ankesat e të akuzuarve janë të bazuar pasi që, aktgjykimi i atakuar me ankesë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, për faktin se dispozitivi  është në kundërshtim me arsyetimin si dhe gjykata nuk ka dhënë arsyet për faktet vendimtare ndërsa arsyet të cilat i ka dhënë  janë të pa mjaftueshme.

Po ashtu, sipas Apelit,  gjykata e shkallës së parë nuk ka paraqitur qartë dhe në mënyrë të plotë  se cilat fakte dhe për çfarë arsye i ka konsideruar të vërtetuara apo të pa vërtetuara, nuk ka vlerësuar saktësinë e provave kundërthënëse, arsyet e mos aprovimit të propozimeve të palëve si dhe nuk ka dhënë arsyet në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së kësaj çështje penalo-juridike.

“Gjykata e shkallës së parë nuk ka analizuar të gjitha provat materiale dhe jo materiale veç e veç dhe të njëjtat nuk i ka ndërlidhur me njëra tjetrën për të ardhur deri te një gjendje faktike të vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë e sidomos kur kemi parasysh faktin se shumica e të dëmtuarve nuk e ndiejnë vetën të dëmtuar dhe në këtë rast gjykata  është dashur që të bëj krahasimin e dëshmive  të tyre të dhëna në procedurat e mëparshme, të vlerësoj se a janë të ligjshme dhe konform dispozitave të procedurës penale e pastaj pas ndërlidhjes së secilës prej tyre të merr vendim të drejtë dhe të ligjshëm”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Sa i përket konfiskimit të automjeteve që ishin bërë të akuzuarit Nuhi Hoxha, Apeli thekson se  qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes se  nga aktgjykimi nuk mund të kuptohet se nga kush janë konfiskuar automjetet në fjalë dhe nuk janë dhënë asnjë arsyetim lidhur me arsyet e konfiskimit dhe se  automjetet në fjalë a janë të përfituara nga vepra penale për të cilat akuzohen të akuzuarit apo janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

Në rigjykim, Apeli e kishte udhëzuar gjykatën e shkallës së parë se duhet të veprojë në pajtim me vërejtjet e lartcekura, t’i eliminojë të gjitha shkeljet e cekura, t’i administrojë të gjitha provat dhe të njëjtat t’i vlerësojë në pajtim me dispozitën e nenit 370, par.6 dhe 7 të KPP, dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave të nxjerr konkluzione të drejta të ligjshme e të bazuara në provat e administruara e mandej të merr vendim përkatës.

Sipas aktakuzës, Xhelal dhe Flamur Hoxha, akuzohen se nga viti 2014 e tutje, kanë kontraktuar dhe pranuar shumë jo proporcionale të të hollave. Të njëjtit, supozohet se si fajde kanë pranuar rreth 32 mijë e 800 euro nga të gjithë të dëmtuarit, me të cilët kanë kontraktuar.

Kurse, i pandehuri Nuhi Hoxha, akuzohet se ka ndihmuar të akuzuarit e lartpërmendur duke e shtyrë pagesën e këstit të fajdesë të dëmtuarve për borxhin, të cilin ata e kishin marrë nga të pandehurit. Me këtë rast, ata konsiderohet se kanë kryer veprën penale të fajdesë.

Polici Hamdi Jashari, sipas prokurorisë, akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Jashari, sipas aktakuzës, është bërë ndërmjetësues mes të akuzuarit Xhelal Hoxha dhe Mehmet Rizah Ibishit.

Prokuroria pretendon se Jashari ka ndërmjetësuar në mes të pandehurit Xhelal Hoxha dhe njërit prej të dëmtuarve. Jashari akuzohet edhe për ndihmë në fajde, për veprimet e lartpërmendura. /BetimipërDrejtësi