POLICI DËSHMOI KUNDËR KUSHTRIM KQIKUT I AKUZUAR PËR PENGIM TË PERSONIT  ZYRTAR

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Në seancën kundër Kushtrim Kqikut i akuzuar për pengim të personit zyrtar dhe për ngasje të veturës në gjendje të dehur, ka dëshmuar zyrtari policor Qëndrim Uruqi. Të enjten ,në Gjykatën Themelore në Gjilan  i njëjti tha se i akuzuari në stacionin policor ka ardhur në gjendje të dehur.

Dëshmitari Uruqi, tha se nuk kishte qenë në vendin e ngjarjes por kur e kishin sjellë rastin në polici ai kishte qenë aty dhe kishte tentuar t’ia bënte alkool-testin. Sipas tij, i akuzuari kishte refuzuar dhe nuk kishin mundur t’ia bëjnë testin. Dëshmitari tha se të akuzuarin në stacionin policor e kishte sjellë kolegu i tij Agim Jakupi. Sipas dëshmitarit, sjelljet e të akuzuarit kishin qenë arrogante gjatë gjithë kohës sa kishte qëndruar në stacionin policor, duke i kishte kërcënuar dhe fyer me fjalë banale, të cilat fjalë ai i tha se nuk mund t’i shprehë në gjykatore.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Kushtrim Kqikut, avokati Valon Hasani, se a kishte ardhur i përgjakur Kushtrimi në stacionin policor, dëshmitari Uruqi konfirmoi se atë ditë kishte ardhur i përgjakur në stacionin policor dhe kishte kërkuar që të fotografohet dhe ishte fotografuar me aparatin e policisë por nuk e dinte se ku kanë mbetur ato fotografi.

Gjykata e caktoi seancën e radhës me 5 tetor 2016, në ora 9:00.

Aktakuza e ngarkon Kushtrim Kqikun se në Gjilan më 30 mars 2014, me forcë dhe kanosje serioze e ka penguar personin zyrtar në kryerjen e detyrës gjatë ushtrimit të funksionit zyrtar. I pandehuri Kqiku nuk ju ka bindur urdhrave të policëve Agim Jakupi, Qëndrim Uruqi dhe Kadrije Bucolli, të cilët kishin tentuar ta ndalnin automjetin të cilin po e ngiste me një shpejtësi të madhe. I akuzuari nuk ishte ndalur dhe kishte ikur. Tutje, ishte kapur nga të njëjtit policë. Megjithatë edhe pas ndalimit, ai kishte vazhduar të pengonte oficerin e policisë Agim Jakupi duke i thënë ” kush jeni ju që më ndaloni, nuk e keni ju atë të drejt të më kontrolloni”. I akuzuari kishte rezistuar që të shoqërohej për në stacionin e policisë, duke e kanosur oficerin e policisë.

Sipas dispozitivit të aktakuzës, ditën kritike i akuzuari kishte vozitur veturën nën ndikimin e alkoolit. Në fakt, masa e alokolit është e papërcaktuar përmes alkool-testit nga oficerët e  policisë për shkak të refuzimit të bashkëpunimit për t’ia bërë matjen si duhet, por kjo sipas aktakuzës është konstatuar vetëm sipas kundërmimit, të cilin e kanë vërejtur se është në ndikimin e alkoolit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë