Gjilan – Agron Azemi është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar “. Shpallja e aktgjykimit është bërë të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Ky proces gjyqësor u zhvillua në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, ku i akuzuari Agron Azemi ngarkohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Sipas pretendimit të prokurorisë, i akuzuari Azemi, më 15 korrik 2015, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, me dashje kishte hyrë në lokalin” Phonebok”, pronë e të dëmtuarit Flamur Ibrahimi ku ishte prezentuar si zyrtar policor dhe të njëjtin e kishte vënë në lajthitje dhe ia kishte marrë shumën prej 150.00 eurove. Ndërsa një ditë më vonë, kishte hyrë në lokalin “ Phonebok 2”, pronë e të dëmtuarit Besnik Ibrahimi ku është prezentuar si zyrtar policor dhe të njëjtin e kishte vënë në lajthitje dhe ia kishte marrë shumën prej 120.00 eurove. Gjithashtu, më 14 korrik 2015 i akuzuari kishte hyrë në lokalin “T-Mobile Niki”, pronë e të dëmtuarit Fisnik Ibrahimi ku ishte prezantuar si zyrtar policor dhe të njëjtin e ka vënë në lajthitje, duke ia marrë një telefon në vlerë prej 170.00 euro.