Polemika mes mbrojtjes dhe prokurorisë rreth një CD-je në rastin e inspektorit të ATK-së që akuzohet për marrje ryshfeti

20180803_143056
Author

Raporton: Medina KADRIU

Gusht 3, 2018

Prishtinë – Në seancën e së premtes, me miratim të trupit gjykues, në gjykatore është shfaqur një CD si provë, ku sipas prokurorisë, në të bisedojnë i dëmtuari Gëzim Fana dhe i akuzuari Mehmet Nimani.

Nimani akuzohet për veprën penale të marrjes së ryshfetit, në cilësinë e inspektorit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Në këtë CD që nuk dëgjohej shumë mirë në gjykatore, dëgjoheshin duke bashkëbiseduar dy persona që përmendin edhe shuma parash.

Mirëpo, kjo CD ka ngjallur shumë polemika në gjykatore mes avokatit mbrojtës të Mehmet Nimamin që po akuzohet për marrje ryshfeti dhe prokurores, Merrushe Llugiqi.

Pas dëgjimit të kësaj CD-je, avokati Besnik Berisha deklaroi se ai nuk e din si është konfirmuar e nga kush se zëri i parë në këtë CD është i Gëzim Fanës, e zëri i dytë i Mehmet Nimanit.

Ai ka thënë se ai nuk e din as kush e ka konstatuar autenticitetin e kësaj CD-je, mundësinë apo pamundësinë e ndërhyrjes në të, montazhin dhe çdo element tjetër të cilat provojnë se CD është marr në kohën e vendin që pretendon prokuroria.

Sipas tij, ky mbetet një audio incizim pa origjinë që në ligj njihet si provë e pambështetur e që është mbajtur e pazbuluar për mbrojtjen.

Avokati Berisha, ka thënë se nëse pranohet si provë nga gjykata kjo CD, ai propozon që të bëhet verifikimi i autenticitetit të këtij incizimi.

“E konsiderojmë imperative për ta verifikuar nëse kjo CD është me personat e pretenduar nga prokuroria apo kjo CD është në mes të Gëzim Fanës dhe Mehmet Limanit që Fana deklaroi këtu se ka kontaktuar , takuar me qëllim që atij t’i hiqet në gjobë në ATK. Ky është propozimi ynë, sigurisht që një propozim të tillë do ta bënim më herët nëse do të kishim në posedim këtë provë dhe natyrisht që do të bënim përballjen e dëshmitarit me këtë incizim”, ka deklaruar avokati.

Prokurorja Merrushe Llugiqi, ka thënë se ajo i ka thënë gjykatës që kur të lëshohet kjo CD të jetë prezent i dëmtuari Gëzim Fana.

Ajo ka thënë se në deklaratën e tij në polici të dhënë më 24.05.2016, kur i është thënë nga polici, “tani do të ju lëshojmë një incizim që do ta dëgjoni dhe çfarë do të deklaroni”, përgjigja “po e dëgjova dhe e pranoj se jam në incizim me Gëzimin, por nuk e kam marr asnjë pare nga ai”.

Tutje tha se edhe në deklarimin në prokurori, prokurorja kishte thënë “Në stacionin policor pasi keni dëgjuar CD keni deklaruar se është zëri juaj, në minutën 5:40 në mes tjerash ke thënë ”nuk e di pse kam bërë aq shumë për ty, nuk është në pyetje një 500 euro se nuk janë asgjë, se di pse kam rrezikuar”.

Kurse, i akuzuari prokurorja tha se kishte thënë “nuk më kujtohet që gjatë bisedës me Gëzimin kam përmendur 500 euro”.

Ajo ka thënë se propozimi i mbrojtjes është zvarritje e procedurës.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica, ka kërkuar të di se si është bërë dorëzimi i kësaj CD.

Prokurorja ka deklaruar se lajmërimi i rastit është bërë në prokurori, më pas i njëjti është udhëzuar në polici për hetimet parapenale ku ka dorëzuar audio incizimin përmes CD-së. Kurse, tha se po çuditet që mbrojtja nuk e ka CD në posedim e nuk e ka kërkuar

Avokati Berisha, ka thënë se Gëzim Fana ka deklaruar se nuk e ka dorëzuar përmes audio incizimin përmes CD por përmes telefonit.

“Në shkresa të lëndës nuk e kemi asnjë pranim dorëzim shkresë të provës, e as fotografi dhe nuk e dimë ku ka nejt ajo provë se kurrë nuk është dorëzu. Nuk e dimë cili audio incizim është lëshu për Mehmet Nimanin dhe nuk dihet me cilën po përballemi ne këtu. As nuk po e dimë a është e njëjta e atëhershit as nuk po e dimë a e ka manipulu dikush. As nuk e dimë kush o Gëzimi, kush Mehmeti. Pse nuk e kemi kërku CD është e thjesht, ditën kur është dëgjuar Fana këtu unë kam thënë që në një prokurori normale ky rast është i mbyllur dhe pse e kam thënë për shkak se Gëzim Fana kur është përball me personin që e ka dënu tani këtu i akuzuar ka thënë se ky nuk është Mehmet Limani që më ka marr para për me i ndihmu në departament të ankesave”, ka deklaruar ai.

Sipas avokatit Berisha, kjo provë është e paligjshme dhe e papranueshme në gjykatë.

“Është detyrim i gjykatës të përjashtoj nga administrimi çfarëdo prove që është marr me shkelje të dispozitave të procedurës penale rrjedhimisht me kryerjen e veprës penale të incizimit të paautorizuar, siç ka ndodhur në rastin konkret. Ne nuk kemi problem me përmbajtjen e CD ani pse nuk e dimë çka ka ajo sepse nuk kemi disponuar me të mirëpo e ripërsërim që në një proces të ligjshëm ndalohet procedimi i provave të marra në mënyrë të kundërligjshme”, ka deklaruar ai.

Kurse, prokurorja e ka kundërshtuar këtë deklarim të avokatit

“Nuk është i paautorizuar incizimi as vepër penale, sepse biseda duhet të jetë e asaj sfere që cenohet jeta private, incizimi që ka të bëj me biseda zyrtare afariste, profesionale e të tjera që nuk i paraqesin jetën private nuk është vepër penale.”, ka deklaruar prokurorja Llugiqi

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 23 maj, i dëmtuari Fana ka deklaruar se inspektori i (ATK), Mehmet Nimani, i cili akuzohet për marrje të ryshfetit, nuk është personi që ai ia ka dhënë një mijë euro, për t’ia zbutur dënimin për mos pagesën e tatimit.

Ai kishte thënë se kur ishte dënuar nga ATK-ja, dy ose tri ditë më pas një person me emrin Mehmet Limani, e jo Mehmet Nimani, i cili i ishte prezantuar si inspektor i ATK-së, i kishte kërkuar para për t’ia zbutur dënimin.

Ai kishte thënë ky person nuk është Mehmet Nimani, që po akuzohet në këtë proces, , kur e kishte parë të akuzuarin, kishte thënë se e njeh, sepse ai kishte kryer kontrollin e ATK-së në autosallonin e tij “Ardi”, por që ai nuk ishte i njëjti që i kishte marrë atij ryshfet, në vlerë prej një mijë euro.

Trupi gjykues ka vendosur që edhe njëherë të ftohet për të dëshmuar i dëmtuari Fana për t’i sqaruar rrethanat e këtij audio incizimi.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 14 shtator, nga ora 11:00.

Ndryshe, ky rast ka kaluar te gjykatësja Krasniqi-Jashanica pasi që gjykatësi Valon Kurtaj, ka ndërruar pozitën e tij dhe lëndët e tij janë bartur te gjykatësit tjerë të Departamentit të Krimeve të Rënda.

Në shqyrtimin e parë të mbajtur ndaj të akuzuarit Nimani, më 31 mars të vitit 2017, ai ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte ngritur aktakuzë ndaj Mehmet Nimanit, më 27 tetor 2016, me pretendimin se i njëjti sa ishte në cilësinë e inspektorit të Administratës Tatimore të Kosovës, kishte kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”, sipas nenit 428 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës.

I akuzuari Nimani, sipas aktakuzë, në muajin mars të vitit 2014, në cilësi të inspektorit të ATK-së me qëllim të mosveprimit në kuadër të detyrave të tij zyrtare, i kishte premtuar të dëmtuarit Gëzim Fana se do t’ia zbut dënimin e tatimit.

Me këtë rast, ai pretendohet se kishte pranuar përfitim material nga i dëmtuari Fana në vlerë prej 1000 eurosh, duke kryer kështu veprën penale të marrjes së ryshfetit.