Plagosja në Klinë, kërkohet paraburgim për tre të arrestuarit, dy në trajtim mjekësor
Raporton: Driton Nocaj
Pejë- Prokuroria e Pejës ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj tre të arrestuarve në rastin ku ndodhi plagosja gjatë ditës së djeshme në Klinë.
Kurse dy të tjerë gjendën duke u trajtuar nën masën mjekësore.
Një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar Prokurorja e rastit, Sahide Gashi.
Kurse zëdhënësja e Gjykatës Tringa Zhuti ka konfirmuar se seanca për shqyrtimin e kësaj kërkese do të mbahet sot në ora 19:00 në Gjykaten e Pejës.
Sipas njoftimit policor, në rrugën “Abedin Rexha”, në orën 13:40, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe disa persona janë rrahur mes vete, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për rastin, Policia i ka arrestuar pesë persona, përfshirë edhe dy të plagosurit, derisa janë konfiskuar 2 pistoleta, 15 fishekë, 2 gëzhoja, 1 brisk dhe 1 sprej.
Ndaj tyre ishte iniciuar veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “pjesëmarrje në rrahje”, ndërsa janë dërguar në mbajtje./BetimipërDrejtësi