(Përditësuar, ora: 19:00) Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar pesë të dyshuar në lidhje me incidentin në Klinë ku mbetën të plagosur dy persona.
Sipas njoftimit policor, në rrugën “Abedin Rexha”, në orën 13:40, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe disa persona janë rrahur mes vete, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për rastin, Policia i ka arrestuar pesë persona, përfshirë edhe dy të plagosurit, derisa janë konfiskuar 2 pistoleta, 15 fishekë, 2 gëzhoja, 1 brisk dhe 1 sprej.
Ndaj tyre janë iniciuar veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “pjesëmarrje në rrahje”, ndërsa janë dërguar në mbajtje.
Plagosen dy persona me armë zjarri në Klinë
Klinë- Dy persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri rreth orës 13:40 në Klinë.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili tha se motivet e plagosjes së dyfishtë për momentin mbeten të panjohura.
“Rreth orës 13:40 policia është informuar se ka të shtëna me armë zjarri në Klinë, policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë takuar një person të plagosur. I plagosuri i dytë është dërguar në spital në Pejë”, tha Rugova.
Ai shtoi se në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe se deri më tani nuk ka të arrestuar për këtë rast. /BetimipërDrejtësi