Pezullohet procedura penale ndaj të akuzuarit për kanosje, pasi që ai gjendet në Gjermani

45708483_1132572400240352_8738834124535496704_n (1)
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Shkurt 8, 2019

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, në seancën e së premtes e ka pezulluar procedurën penale ndaj të akuzuarit për kanosje, Afrim Goza.

Një aktvendim të tillë e ka marrë gjykatësja e rastit, Ilirjana Hoti, pasi që ndaj të akuzuarit Goza ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim nga Stacioni Policor në Gjakovë, mirëpo sipas njoftimit të Policisë i akuzuari gjendet në Gjermani.

Sipas gjykatëses Hoti, shqyrtimi do të vazhdojë pas sigurimit të prezencës së të akuzuarit, për të cilin Gjykata do të lëshojë urdhërarrest.

Ndryshe, në seancë ishte i pranishëm prokurori i rastit, Armend Zenelaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 28 gusht 2018, Afrim Goza po akuzohet se më 21 korrik 2018, rreth orës 16:50, në rrugën “Tirana”, në Gjakovë, saktësisht në shtëpinë e të dëmtuarit, seriozisht i kanoset të dëmtuarit Shpejtim Goza.

Siç thuhet në aktakuzë, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishte i dëmtuari me të pandehurin, rreth një shume të hollash prej 3000 franga zvicerane, të cilat i pandehuri pretendon se ia ka dhënë të dëmtuarit, i pandehuri në prezencë të familjes së të dëmtuarit e kanos atë duke iu drejtuar me fjalët, “Nëse nuk i tregon ti babait tënd për paratë që t’i kam dhënë do të kushtojë më shtrenjtë”, duke vazhduar, “jo ti, jo unë”, me c’rast tek i dëmtuari shkakton frikë dhe ankth.

Me çka, po akuzohet se ka kryer veprën penale të “kanosje” nga neni 185 parag.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.